Çfarë do t’i sjellin Kosovës ujditë në Samitin e Berlinit?

Njohësit e integrimeve evropiane e politologët "Samitin e Berlinit" po e shohin si një lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm në BE dhe stabilitetit të rajonit. Sipas tyre, në kuadër të ujdive që mund të nënshkruhen në këtë samit nëse vërtetë ndodh heqja e vizave në mes të Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës mund të konsiderohet si faktorizim i Kosovës karshi Serbisë

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në Samitin - Ballkani Perëndimor në Berlin, 28 gusht 2014.





“Procesi i Berlinit për Kosovën mbetet forumi kryesor që mundëson rrugëtimin drejt BE-së”.

Kështu ka deklaruar njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu për Portali Dukagjini në lidhje me Samitin e Berlinit që do të mbahet të enjten e tre nëntorit, në të cilin liderët e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë tri marrëveshje.

Këto marrëveshje do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.

Kryeziu ka thënë se në agjendë të këtij samiti do të jetë vazhdimi i nismave që ishin pjesë e Procesit të Berlinit që në fillim, si “agjenda e lidhjes, veçanërisht lidhja e njerëzve, rinisë dhe shoqërisë civile”.

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu

Ai ka thënë se do të ketë gjithashtu nisma të reja, si siguria energjetike dhe solidariteti si dhe Agjenda e Gjelbër.

Tema siç thotë ai më e rëndësishme është zbatimi i Tregut të Përbashkët Rajonal që paraqet përpjekjen unifikuese për transformimin e rajonit në përputhje me rregullat dhe standardet e BE-së.

Për të, Plani i Veprimit të tregut të Përbashkët Rajonal është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të rajonit në BE.

“Tregu i Përbashkët Rajonal vazhdon me rezultatet e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale (MAP REA) që u miratua në Trieste, kur drejtuesit e BB6 ranë dakord t’i jepnin një shans këtij rajoni për të ndërtuar zonën e tij ekonomike, duke mundësuar qarkullim të papenguar të mallrave, kapitalit të shërbimeve dhe fuqisë punëtore të kualifikuar, duke e bërë rajonin tërheqës dhe të përshtatshëm për investime”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka shtuar se lëvizja e lirë e njerëzve është një nga fushat kryesore të politikave të Tregut të Përbashkët Rajonal që synon t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të zbatojë një nga katër liritë e tregut unik të BE-së.

“Është një hap i rëndësishëm përpara për heqjen e barrierave për lëvizjen e njerëzve në rajon, duke u mundësuar rreth 18 milionë njerëzve të lëvizin lirshëm brenda rajonit, duke hequr gjithashtu barrierat për lëvizjen e profesionistëve, studentëve, studiuesve dhe profesorëve”, ka vijuar ai.

Vllasi: Procesi i Berlinit lë në hije iniciativën “Ballkani i Hapur”  

Ndërsa njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi për Portali Dukagjini ka thënë se Procesi i Berlinit e mohon iniciativen “Ballkani i hapur” që përfshin vetëm tri shtete të rajonit, ku Kosova nuk bën pjesë.

“Samiti i Procesit të Berlinit me 3 nëntor është shumë i rëndësishëm për Kosovën, sepse  në këtë iniciativë trajtohet si shtet i barabartë me shtete tjera të rajonit”, ka deklaruar Vllasi.

Juristi dhe ish-politikani Azem Vllasi

Sipas Vllasit, përfitimet e Kosovës janë të rëndësishme në këtë samit ngase do të hapen mundësitë për bashkëpunim me gjitha shtetet e rajonit në baza të recprocitetit dhe barazisë së plotë.

“Ky Samit nuk do të merret specifikisht me bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë por mund të pritet një përkrahje për normalizimin e raporteve mes dy vendeve nga se kjo është me rëndësi për stabilitet dhe bashkëpunim të të gjithë rajonit”, ka vijuar ai.

Rushiti: Samiti në Berlin-premisë për të afruar Kosovën dhe Serbinë para bisedimeve intensive për marrëveshje të re

Ndërsa, analisti politik njëherësh profesori universitar, Fatos Rushiti për Portali Dukagjini ka thënë se njohja e diplomave dhe kualifikimeve do të duhej të ishte bërë më herët në mes të qeverive të këtyre vendeve.

“Nga fakti se vetë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë ende konteste të hapura në mes vete dhe nuk mund të përgatisin veten pa ndihmën e BE-së për të ndërtuar shtet ligjor dhe shtet demokratik, të tërat këto bëhen që të merret koha e duhur në momentin e duhur për të përafruar politikisht dhe bashkërenduar prioritetet drejt anëtarësimit të BE-së mes këtyre vendeve”.

Rushiti ka thënë se këtë samit e sheh si premisë për të afruar palën kosovare dhe serbe para nisjes së bisedimeve me intensive që do të çojnë drejt një marrëveshje të re politike.

Fatos Rushiti, analist politik dhe profesor universitar në UBT

“Fakti që Gjermania është nikoqir flet shumë dhe si ideatorja e procesit të Berlinit së fundmi jo më kot ka dhënë propozim bashkë me Francën për marrëveshje të re mes Serbisë dhe Kosovës”, gjersa ka shtuar se mund të konsiderohet si faktorizim i palës kosovare karshi Serbisë, nëse vërtetë do të ndodhë heqja e vizave në mes të Bosnjës dhe Kosovës.

Ndërsa lidhur me Ballkanin e Hapur, ai ka thënë se po “imiton” tërësisht Procesin e Berlinit.

“Nëse marrim shembull njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale që ndodhi më herët mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në kuadër të Ballkanit të Hapur në Ohër, dhe e njëjta temë që aktualizohet në Samitin e Berlinit flet për një kundërshtim prapa skenave të Ballkanit të Hapur nga shtetet që nuk marrin pjesë dhe nga ata që e udhëheqin Procesin e Berlinit”, ka vijuar Rushiti.

Sipas tij, ky samit do t’iu tregojë vendeve fqinje të Kosovës se Kosova do të trajtohet si  e barabartë me shtetet tjera dhe se tërthorazi i bëhet me dije shteteve tjera që të nisin t’i mendojnë më seriozisht marrëdhëniet në rrafshin politik dhe diplomatik me Kosovën jo vetëm në sferën ekonomike.

“Mendoj se Gjermania këtu po tenton të krijojë një frymë të re të bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u ofruar palëve prapa skenave planin për marrëveshje të re në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Ani pse normalizimi i raporteve me Serbinë sipas Bashkimit Evropian përcaktojnë të ardhmen e Kosovës drejt rrugëtimit evropian, në këtë samit nuk do të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Atë do ta zëvendësojë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Sa i përket çështjes së reciprocitetit të targave me Serbinë, Rushiti ka thënë se veprimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e vendimit në tri faza; përmes qortimeve, gjobave dhe targave provuese është i menduar mirë dhe tërësisht legal brenda kompetencave që i jep ligji dhe kushtetuta.

“Ndërkombëtarët kanë reagime sa për të thënë diçka por duket që u pëlqen qasja e Kurtit në raport me Serbinë. Jemi në prag të një lufte të forte politike dhe diplomatike me Serbinë dhe kryeministri Kurti me legjitimiettin që ka në popull bazuar dhe në atë se ka bërë luftë të ashpër opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë që prodhuan Asociacionin dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, ndërkombëtarët Kurtin e shohin si shansë të fundit për të bërë diçka të madhe me Serbinë”, ka thënë ai.

Ndërsa politologu, Vllasi ka thënë se qeveria duhet t’i përfillë këshillat e ndërkombëtarëve për shtyerje të afatit.

“Mospërfillja e këtyre këshillave e dëmton Kosovën në vazhdimin e dialogut me Serbinë. Dëmi politik nga mospërfillja e këshillave të miqëve është më i madh e shtyrja e afatit për targa nuk do të shkaktonte asnjë dëm. Nuk e konteston askush ligjshmërinë e vendimit për targa. Fjala është vetëm për afatin e zbatimit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në një intervistë për REL-in, për  propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka thënë se ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për RTV Dukagjini ka konfirmuar se në këtë samit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi Tregut të Përbashkët Rajonal i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave në katër liritë mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor.

Ky samit përndryshe është konsideruar si lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit që vendet si Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.

 

 

 

 

 

 





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika