Dëshpërimi për “luftën” që nuk ndodhi

Tifozët që shkuan ta shohin ndeshjen Shqipëri-Serbi pritnin që një lojë futbolli të shndërrohej në betejë hakmarrëse për të gjitha krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Por, u zhgënjyen. Shqipëria, e cila bashkë me Serbinë do ta organizojë Kampionatin Europian U-21, zgjodhi të veprojë ndryshe, duke lënë mbrapa shijen e hidhur për ata që ende sportin mund ta koniderojnë luftë, e jo lojë

gjithë ata që zgedhin të shohin një ndeshje futbolli. Por, bazuar në reagimet e shumta pas ndeshjes Shqipëri-Serbi, e cila u luajt në Tiranë, duket se tifozët nga Kosova kanë pritur më shumë se lojë.

Në mënyrën se si ndeshja ishte organizuar, Shqipëria vetëm bëri atë që duhet në eleminatoret për kampionatin botëror. Por, zhgënjeu pritjet e të gjithë atyre që prisnin “diçka më shumë”, të atyre që prisnin “më shumë se lojë”.

Secili dhe secili nga ne e kupton ngarkesën emocionale karshi Serbisë, një shteti që kreu krime të tmerrshme në Kosovë. Një shteti, i cili vazhdon ta kontestojë dhe ta dëmtojë shtetin e Kosovës në çdo formë dhe në çdo rast. Një shteti, i cili nuk njeh Kosovën e pavarur dhe përpiqet që edhe ngjarjeve sportive t’iu jep sfond politik.

Por, Shqipëria është në një tjetër situatë. Me Serbinë ka raporte të mira, pavarësisht se dikush nga ne mund të mendojë se ato nuk duhet të jenë të tilla shkaku i Kosovës. Për më tepër, Shqipëria dhe Serbia janë marrë vesh që në vitin 2027 të organizojnë së bashku Kampionatin Europian U-21. Një tregues se këto dy shtete po vazhdojnë të bashkëpunojnë, ndërkohë që Serbia 26 vjet pas luftës nuk e njeh Kosovën e pavarur, nuk pranon krimet që ka kryer dhe nuk kërkon falje për ato krime. Për më tepër, vazhdon ta sabotojë dhe ta pengojë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të ri.

Tifozët nga Kosova, të cilët kanë udhëtuar në Tiranë ta shohin ndeshjen, mbase kanë pritur diçka tjetër, më shumë sesa një lojë futbolli. Kanë pritur hakmarrje për qasjen e Serbisë karshi Kosovës. Kanë pritur “luftë” në fushën e gjelbër. Por, gjithçka përfundoi ndryshe, në një ndeshje të qetë, pa gola, pa spektakël, “pa gjak”. Përfundoi ashtu siç mbase federata shqiptare e futbollit e kishte paramenduar e planifikuar, përtej pritjeve të tifozëve dhe të publikut. Andaj në rrjetet sociale shpërthyen histeria dhe pakënaqësitë.

* * *

Nuk ka nevojë të diskutohet sa e rëndësishme është për shqiptarët Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe emocionalisht askush nuk ndihet mirë kur nga stadiumi largohen flamuj me simbolin UÇK ose tifozë që mbajnë veshur bluza me të njëjtin simbol. Mbase tifozët e flaktë nga Kosova dhe diaspora kanë menduar se në stadium do të lejoheshin ta bëjnë “betejën” e vet me Serbinë, duke ekspozuar simbole dhe pankarta të ndryshme. Por shteti shqiptar kishte marrë masa që gjëra të tilla të mos lejohen, kishte marrë masa që ndeshja të zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe pa probleme.

Zhgënjimi me atë që ndodhi në Tiranë dhe komentet e ashpra në rrjetet sociale mbase kanë të bëjnë me një keqkuptim bazik – se Shqipëria edhe në një ndeshje sportive duhet t’i hakmerret Serbisë për të gjitha krimet që ka kryer në Kosovë, se Shqipëria duhet ta shohë Serbië me optikën e njëjtë siç e shohin kosovarët viktima të agresionit të Slobodan Milosheviqit, që tash në forma të tjera po vazhdon nga ish-bashkëpunëtori i tij, Aleksandër Vuçiq.

Përtej pritjeve të kujtdoqoftë, Shqipëria ka zgjedhur tjetër rrugë, ka zgjedhur rrugën e rritjes së bashkëpunimit me Serbinë – pa e pasur Kosovën në mes. Kjo mund të jetë e dhimbshme, por është e vërtetë. Andaj zhgënjimi është kaq i madh.

Shqipëria është një shtet i pavarur, ashtu siç është edhe Kosova dhe në radhë të parë i mbron dhe kujdeset për interesat e veta. Pavarësisht çfarë mund të presin tifozët e reprezentacionit futbollistik të këtij shteti ose publiku i gjerë, interesat shtetërore i vë në radhë të parë. Kjo është diçka normale. Sa më parë që të gjithë ta kuptojnë një gjë të tillë, aq më mirë. Njësoj duhet të veprojë edhe Kosova.

Të fundit nga rubrika