Dështon edhe tentativa e 30-të për konstituimin e Kuvendit
Ka dështuar edhe tentativa e 30-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish ngërçi është te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Të mërkurën, propozimi mori 52 vota për nga 93 deputetë që ishin të pranishëm. Seanca e radhës do të jetë të premten nga ora 11:00. Në fillim […]
Ka dështuar edhe tentativa e 30-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish ngërçi është te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Të mërkurën, propozimi mori 52 vota për nga 93 deputetë që ishin të pranishëm.
Seanca e radhës do të jetë të premten nga ora 11:00.
Në fillim të seancës, deputetët nderuan me një minutë heshtje vdekjen e kryeministrit të qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshi.
” 52 deputetë pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Nuk kemi korum. Ndërpritet seanca. SHihemi me 13 qershor në ora 11:00″, deklaroi Avni Dehari, kryesuesi i Kuvendit.
Deputetët e filluan seancën me një minutë heshtje në nderim të jetës së Bujar Bukoshit, i cili vdiq dje në moshën 78-vjeqare.
Murati: Qe 21 herë deputetët e opozitës po e shkelin Kushtetutën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, para fillimit të seancës konstituive, ka kritikuar ashpër deputetët e ish-partive opozitare për, siç tha ai, shkelje të Kushtetutës.
“Deputetët duhet ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, të votojnë – pro, kundër ose abstenim. Qe 21 herë deputetët e opozitës e shkelin Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim”, deklaroi Murati.
Për herë të 30-të deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë do të mblidhen të mërkurën në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për 29 herë, Kuvendi deri tash ka dështuar ta zgjedhë kryeparlamentarin dhe të vazhdohet me formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, fillimisht ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Por pas disa dështimesh që ta marrë shumicën, kjo parti propozoi që të formohet komision për votim të fshehtë që po ashtu nuk po merr mbështetjen. Në 20 herë me këtë përpjekje, deputetët e partive opozitare kanë refuzuar të votojnë.
“Sot vij për herë të fundit”- Nait Hasani kritikon vazhdimin e pafund të seancës konstituive të Kuvendit: Në Librin e Ginisit jemi
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj mënyrës se si po zhvillohet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila të enjten hyri në ditën e 30-të të saj.
Para nisjes së seancës, Hasani deklaroi se është e paarsyeshme që deputetët të thirren vazhdimisht për të marrë pjesë në një seancë pa progres.
“Cila është arsyeja me na mundu neve me ardhë? Duhet me ardhë prej Prizrenit këtu, me e dëgju atë refrenin për të 30-tën herë edhe me dalë. Kjo është e dëmshme për raportet me ndërkombëtarët, në të cilat po kalon Kosova”, tha Hasani para mediave.
Ai theksoi se ky është një tregues i keq për imazhin e institucioneve dhe përkushtimin e tyre.
Gashi: S’ka sinjale për ndonjë ndryshim, por ka ardhë koha me gjet zgjidhjen
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se nuk ka ende sinjale për ndryshim qëndrimesh mes partive, por theksoi se koha për të gjetur një zgjidhje ka kaluar përtej asaj që mund të konsiderohet e arsyeshme.
Sipas tij, çdo e drejtë politike vjen edhe me një detyrim.
“Nuk ka sinjale për ndryshim të qëndrimeve. Por besoj që ka ardhur koha që me gjet zgjidhjen. Ka kaluar koha përtej arsyeshmes. LDK-ja ka ofru zgjidhje. Partia fituese ka obligim me themelu institucionet e Kuvendit pastaj edhe Qeverinë. Kur lind një e drejtë lind edhe një detyrim. Ka të drejtën absolute për të propozuar kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, por ka edhe detyrimin që propozimi ta ketë shumicë”, deklaroi Gashi.
Zemaj: Kurti t’i thërrasë ndërgjegjes, institucionet të formohen sa më shpejtë
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet t’i thirr ndërgjegjes dhe institucionet të formohen sa më shpejtë.
“Sa më shpejt që të ketë thirrje të ndërgjegjes te Kurti që të ketë formim të institucioneve”, u shpreh ai para nisjes së seancës së 30-të konstituive.
Zemaj u shpreh se LDK-ja vazhdon t’i qëndrojë propozimit për qeveri të unitetit dhe paralajmëroi se së shpejti do të dalin me pika konkrete.
Deputeti i LDK-së gjithashtu foli edhe për protestën e bizneseve, duke thënë se ajo duhet të jetë më e madhe dhe të përkrahet edhe nga qytetarët e politike “që të mos lejohet zhvatja e buxhetit të shtetit”.
Haradinaj: Po shkojmë drejt zgjedhjeve
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se zgjedhjet e reja janë në horizont por duhet pritur së pari për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Shumica e deputetëve kanë të drejtë me i bojkotu tash seancat. Po duket që po shkojmë drejt zgjedhjeve. Tash kur merr epilog, ta shohim. Po e presim vendimin e Kushtetueses, ajo mund t’i japë drejtim kësaj çështje”, ka thënë Haradinaj para seancës së sotme.
Ai shprehu keqardhje me atë çka po ndodh në Kuvend.















