Divorci dhe ndikimi i tij tek fëmijët

Profesori dhe psikologu Florim Gallopeni

E mërkura si çdo herë në studion e Radio Dukagjinit, solli diskutime rreth shëndetit mendor.

Sonte i ftuar në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin ishte profesori dhe psikologu Florim Gallopeni, me të cilin u diskutua divorci dhe ndikimi i tij tek fëmijët.

Gallopeni theksoi se në vazhdimësi po shohim trendin e rritjes së divorceve në vendin tonë. Për të pasur ndikim sa më të vogël tek fëmijët, ai thekson se duhet të kihet shumë kujdes gjatë gjithë procesit. Megjithëse thotë se divorcet mund të ndodhin për shkaqe të ndryshme, prindërit rrallëherë e kuptojnë impaktin që kjo mund të ketë në shëndetin mendor të fëmijëve.

Gallopeni deklaron se procesi i ndarjes duhet të jetë sa më i shkurtë dhe sa më larg syve të fëmijëve. Ata nuk duhet të jenë prezent në një ambient ku mund të ketë dhunë psikologjike e madje edhe fizike, pasi këto ndikojnë në mirëqenien e fëmijës, mund të sjellin trauma të ndryshme, probleme psikologjike të ndryshme dhe të afektojnë në rezultatet shkollore.

Kumtimi i lajmit për divorc tek fëmijët sipas psikologut varet nga mosha, por ajo që është e rëndësishme sipas tij është që të ketë një dakordim mes çiftit për vendimin që një gjë e tillë të mos mbesë pezull. Gallopeni shton se viteve të fundit në vendin tonë po shohim një pjekuri më të madhe, ku prindërit kanë vëmendjen tek mirëqënia e fëmijës gjatë procesit të divorcit, krahasuar me kohërat e mëhershme.

E më e rëndësishmja pas divorcit sipas Gallopenit është që fëmija të jetë i lirë të levizë nga njëri prind tek tjetrin, në mënyrë që të rritet me të dy prindërit, e këta të fundit nuk duhet t’i flasin asnjëherë negativisht për prindin tjetër, nuk duhet që mllefi ndaj njëri tjetrit të ndikojë negativisht tek fëmijët.

Gallopeni gjithashtu përmendi një studim të mëhershëm që kanë bërë ku del që fëmijët e prindërve të divorcuar,  kanë tendencë që të kenë nivele më të larta të ankthit, dhe probleme tjera psikologjike krahasuar me fëmijët e prindërve që nuk janë të divorcuar.

Të fundit nga rubrika