Në protestën që po zhvillohet para Kuvendit të Kosovës, pas tensioneve të shënuara gjatë ditës, janë parë edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe Klestor Veseli, djali i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Dy të rinjtë janë parë mes protestuesve në tubimin e mbrëmjes, i cili po mbahet në kuadër të protestave të përnatshme që nisën pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta e sotme zhvillohet pas një dite të tensionuar para Kuvendit, ku protestuesit kërkuan që deputetët të votojnë edhe në lexim të dytë ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gjatë ditës, një pjesë e protestuesve bllokuan hyrjet dhe daljet e Kuvendit, ndërsa u hodhën edhe mjete piroteknike në drejtim të objektit.
Protesta e përnatshme “Jo në emrin tim” është zhvilluar çdo natë që nga 16 shtatori, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve është ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.