Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka thënë se do të marrë të gjitha masat e nevojshme disiplinore ndaj Gentrit Sylës, zyrtar në komunën e Prishtinës dhe Egzon Pacolli, shef i asamblistëve të LDK-së pas audio-incizimeve të publikuara në “Debat Plus” ku të njëjtit flisnin për punësimin e gruas së një delegati në këmbim të votës ndaj Abdixhikut.
Edhe pse Syla e Pacolli të inkuadruar në “Debat Plus” pretenduan se audio-incizimet janë të montuara e formë shantazhi ndaj tyre, Ferati u shpreh se do të marrë masa diciplinore ndaj tyre teksa ftoi edhe organet e hetuesisë të mirren me rastin.
“Nuk e kam idenë se çfarë kanë thënë Gentriti e Egzoni, audio-incizimet i pash edhe ishin për keqardhje në çfarë niveli paska mbërri kjo farë fushate, ish dashtë me qenë vetëm politike e jo me mbërri në këso nivele që spo di as si me konstatu. Gentriti e Egzoni janë djem të rinj me ja përmend emrin kryetari të partisë fillimisht e lëre më me cilësu në terma të tillë po më vjen keq për dytë, ju kisha sugjeru me pas kujdes politik në konstatime se janë djem të rinj që janë rrit në gjirin e LDK-së. Për me dëshmu atë unë si sekretar do ti marrë të gjitha masat disiplinore në të njëjtën kohë por ajo që është e rëndësishme është që kjo me u dërgu në organet e hetuesisë konkretisht te Policia që me u zbardh këto raste. Organet e rendit duhet ta thonë fjalën e tyre për të gjithë këtë presion që po pretendojnë se u është bë delegatëve”, u shpreh Ferati.
Syla pas audio-incizimit: Nuk kam asnjë kompetencë për punësime
Pacolli pas audio-incizimit: Montazh dhe shantazh para Kuvendit, asgjë më shumë