Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.
Së bashku me një delegacion nga Kisha Katolike, ai ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku ka përcjellë urimet e tij për këtë festë, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe tolerancës ndërfetare në vend.
Në mesazhin e tij, Gjergji ka bërë thirrje për paqe dhe harmoni, duke nënvizuar se kjo festë duhet të shërbejë si moment bashkimi për të gjithë qytetarët.
“Është një moment i mirë që të gjithë së bashku të festojmë. Ju uroj të gjithëve, pavarësisht besimit katolik apo mysliman. Le të kemi paqe në zemrat tona, harmoni dhe lumturi në familjet tona dhe mirëkuptim në shoqëri”, u shpreh ai.
Ipeshkvi gjithashtu theksoi nevojën për lutje të përbashkëta për paqen në botë, duke vlerësuar se situata globale është më e trazuar se kurrë më parë.
“I ftoj të gjithë të lutemi për paqe në botë, sepse bota asnjëherë nuk ka qenë më e trazuar se në këto momente”, tha Gjergji.
Në fund, ai nënvizoi rëndësinë e bashkimit kombëtar, duke theksuar se përtej festave fetare, shqiptarët ndajnë një identitet të përbashkët dhe një të ardhme që duhet ruajtur së bashku.