Kërkohen hetime për vdekjen e 4-vjeçares në Gjakovë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar pas vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova, duke bërë thirrje për hetime e veprime të menjëhershme.

Në raportin 24-orësh të policisë thuhej se 4-vjeçarja po trajtohej në QKUK që nga 17 shkurti, ndërsa më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në IML.

“Kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës, të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë. Me gjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigjja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme. Ata pretendojnë se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar tragjikisht ashpërsinë e gjendjes së saj. Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor”, thuhet në njoftimin e KOMF-it.

KOMF ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të trajtojnë me prioritet këtë rast dhe të marrin veprime të menjëhershme.

“Kërkojmë vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale. Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale. Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. KOMF do të vazhdojë të ndjekë nga afër procedimin më tej të këtij rasti nga ana e institucioneve dhe do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie prej tyre, duke çuar ku duhet përgjegjësinë kolektive për të garantuar se fëmijët tanë zhvillohen në mjedis të sigurt dhe përkujdesës, ku të drejtat e tyre themelore mbrohen dhe janë themel i zhvillimit të shoqërisë”, thuhet tutje në njoftim.

Familjarët kanë treguar versionin e tyre për vdekjen e 4-vjecares.

Ditë më parë, Arjana Hajra nga Gjakova, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllaut të saj, me ç’rast të bijën e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijë.

Por, të njëjtën, më pas e kishte gjetur të shtrirë në tokë.

Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin.

“E mora qikën, filloi me kajt. I thash çka ki, më tha ma ka hi jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’më kallxoj bash mirë. Tu ardh nuk mujke me ec, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e mora në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo veç kajke”, ka thënë Hajra.

Gjersa thotë se e ndjera nuk kishte forcë për të qëndruar në këmbë, e njëjta kishte pasur mavijosje në fundshpinë e ënjtje në gjoks.

Pasi e kishte dërguar në Spitalin e Gjakovës, mjekët, familjes i ishte thënë se e njëjta kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks.

Pas përkeqësimit të gjendjes, katërvjeçarja ishte dërguar për trajtim në QKUK.

Por, nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj.

“N’gjysmë nate m’ka thirrur doktorica me hy në sallë, ku ka qenë qika. Kom hy, kom nejt me qik dhe erdh doktorica po ma bën, oj zojë nuk e ka prej t’rrehnit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh”, ka shtuar ajo.

Shkakun e vdekjes nga një infeksion, e përmend edhe drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, por ai nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur nëse 4-vjeçarja, kishte shenja të dhunës në trup.

Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë nuk kanë thënë më shumë për rastin sesa që thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjersa nuk kanë dhënë përgjigje për intervistimin e të dyshuarve për rrahjen e të miturës.

Njësoj kanë vepruar edhe nga Prokuroria.

“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, ka thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Nëna e të ndjerës ka thënë që vëllai i saj ka mohuar që i biri ka rrahur të ndjerën, gjersa i njëjti, siç ka thënë familja, është intervistuar nga Policia e Kosovës.

Dritë mbi rastin që është cilësuar si “hetim i vdekjes”, pritet të hedhë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku është dërguar trupi i së ndjerës për obduksion.

Lexo edhe : 4-vjeçarja që vdiq në QKUK dyshohet të jetë rrahur nga familjarët, familjes i thuhet se vdiq nga infeksioni

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika