KISHA SI ’ARMË’ POLITIKE

(Modeli ruso-serb i sakralizimit të qëllimeve hegjemoniste)

Arben Fetoshi, drejtor i Instituti për Studime të Luftës Hibride 'Octopus' (Foto nga intervista në FIVE në RTV Dukagjini)

Në kontekstin e strategjisë hibride serbo-ruse, religjioni përbën një nga komponentët më të sofistikuar të fuqisë politike. Kisha Ortodokse Ruse nuk është thjesht një institucion fetar, por pjesë e arkitekturës hibride për qëllimet revizioniste të Kremlinit. Ky model i evidentuar nga Komiteti i Helsinkit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është eksportuar dhe përshtatur nga Serbia.

Sakralizimi i revizionizmit rus

Bashkëdyzimi i shtetit me Kishën Ortodokse në Rusi konsiston në një formë të re legjitimimi të qëllimeve politike. Ato që i përjashton ligji dhe demokracia, synon t’i realizojë kisha përmes sakralizimit të politikës: Putini jo vetëm si autoritet politik, por edhe si mbrojtës i një rendi moral e civilizues.

Në këtë kontekst, Kisha Ortodokse Ruse e paraqet luftën në Ukrainë si “mbrojtje të vlerave”, e arsyeton agresionin si “detyrë historike” dhe e kornizon atë si mision shpirtëror.

Njëri nga figurat kryesore të këtij modeli, Patriarku Kirill, ka deklaruar se “konflikti s’ka të bëjë vetëm me politikë, por me mbrojtjen e botës ruse dhe vlerave të saj shpirtërore”. Si njëri nga promovuesit e ”Botës Ruse”, ai ka predikuar se ”të gjithë ata që bien duke kryer detyrën ushtarake, do të pastrohen nga mëkatet e tyre” (Reuters, 26.09.2022).

Një angazhim që derivon nga doktrina e ideologut të nacionalizmit rus, Aleksandër Dugin, për Rusinë si civilizim alternativ ndaj Perëndimit.

Pra, përmes një sërë narrativash të ndërlidhura, kisha ka shërbyer për legjitimimin e pushtetit dhe të politikave revizioniste. Shteti dhe Kisha me mision të përbashkët historik, Rusia si viktimë e Perëndimit, kërcënimi nga NATO, lufta si detyrë për mbrojtjen e ”Botës Ruse”, Rusia si civilizim kundër ”degjenerimit perëndimor”, janë disa narrativat kryesore që shpërfaqin kishës si ‘armë’ për qëllimet politike të Putinit.

Simetria e modelit etno-fetar në Serbi

Të njëjtin model misionar e ndjek Serbia në kontekstin e Ballkanit Perëndimor. Shteti dhe Kisha Ortodokse në misionin historik për ‘Botën Serbe’, duke legjitimuar pushtetin, shenjtëruar kriminelët dhe mobilizuar qytetarët përmes nacionalizmit.

Vizita e Patriarkut Porfirije më 23 prill 2025 në Moskë dhe takimet e deklaratat e tij, jo vetëm me Kirillin e përfaqësues të kishës, por edhe me Putinin, e konfirmojnë simetrinë e modelit etno-fetar për qëllimet e tyre hegjemoniste. “Perëndimi po synon ta shkatërrojë identitetin dhe kulturën serbe dhe Rusia si shpëtimtare e Serbisë”, tha Porfirije në Moskë (Nedjelnik, 23 prill 2025).

Sipas modelit të njëjtë rus – zgjatimit të vrasjes që bekon putinizmin, Porfirije e përforconte “vëllazërinë serbo-ruse” si shpëtimtare për vlerat e krishterimit dhe si garanci për interesat serbe kundrejt Kosovës në OKB.

Në të njëjtën linjë, por me konotacion tjetër fetar (shqiptarët si ekstremistë islamikë) ishte edhe deklarata e drejtorit të diplomacisë publike serbe, Arno Gujon, i cili në përvjetorin e trazirave të marsit 2004, fantazoi me kualifikimin e tyre si “krim kundër Krishterimit dhe civilizimit europian” (Kosovo Online, 17.03.2026).

Në këtë mënyrë, modeli i dyzuar shtet-kishë reflekton mekanizmin e njëjtë kundër Kosovës me narrativat mobilizuese “të tokës së shenjtë dhe djepit të Serbisë”, duke demonizuar veprimet e institucioneve si “spastrim etnik dhe politikë terrori ndaj serbëve”.

Pra, edhe në rastin e Serbisë, përdorimi i kishës është një komponent sfidues i komunikimit strategjik, për ta ruajtur narrativën e viktimizimit, për mobilizimin nacionalist, për manipulimin ndërkombëtar dhe për sabotimin e shtetit të Kosovës.

Pikërisht këtë e ka nxjerrë në pah Komiteti amerikan i Helsinkit, duke tërhequr vërejtjen që të mos neglizhohet përdorimi i fesë si ‘armë politike’ nga Rusia.

Autori është Drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus

Të fundit nga rubrika