Koci e dërgoi çështjen në Kushtetuese, Cakolli tregon nëse “rrezikon” Presidenten e re

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se njoftimi i avokatit Arianit Koci në Gjykatën Kushtetuese për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26 nuk ka efekt të drejtpërdrejtë mbi procedurën e zgjedhjes së Presidentes së Kosovës.

Cakolli ka thënë se vetëm dërgimi i një njoftimi të tillë nuk e pezullon procedurën, pasi Gjykata Kushtetuese ka mekanizmat e saj për të vlerësuar nëse vendimet e saj janë zbatuar apo jo.

“Në anën tjetër, edhe dërgimi në Gjykatë Kushtetuese i njoftimit për moszbatim, nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në pezullimin e procedurës si të tillë. Për shkak se gjykata ka mekanizma të brendshëm për ta bërë kontrollin e zbatimit të vendimeve të saj, përmes formimit të disa komisioneve të brendshme”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, në rastin konkret nuk mund të thuhet se ka mbetur ndonjë pjesë e aktgjykimit e pazbatuar.

“Sidoqoftë nuk ka kuptim që të them gjykata ta bëjë vlerësimin e zbatimit ose moszbatimit, sepse nuk ka pikë të aktgjykimit që nuk është zbatuar”, ka deklaruar ai.

Koci kishte njoftuar se të mërkurën kishte depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26.

Sipas Kocit, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar që procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026 dhe se votimi kishte vazhduar edhe pas mesnatës.

Koci i ishte referuar edhe nenit 226 të aktgjykimit, duke thënë se në rast të mosrespektimit të afatit pasoja juridike është shpërndarja e Kuvendit.

Më tutje, Cakolli ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës për Presidente të Kosovës mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga të paktën 10 deputetë.

Cakolli ka thënë se deputetët kanë afat tetë ditë për ta kontestuar vendimin e Kuvendit, që sipas tij nënkupton se afati për një kërkesë të tillë përfundon më 14 tetor.

“Dërgimi në Gjykatë Kushtetuese i njoftimit për moszbatim, nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në pezullimin e procedurës si të tillë”, ka deklaruar Cakolli.

Megjithatë, ai ka pranuar se mënyra e përfundimit të votimit mbetet çështje e diskutueshme, pasi votimi kishte nisur në minutat e fundit të 6 tetorit dhe kishte vazhduar pas mesnatës.

Sipas Cakollit, fakti që votat ishin futur në kuti para përfundimit të 6 tetorit mund të ketë rëndësi në interpretimin e asaj se kur konsiderohet e përfunduar procedura e zgjedhjes së Presidentes.

Ai ka bërë analogji me procesin zgjedhor, duke thënë se data e zhvillimit të zgjedhjeve mbetet data kur është zhvilluar procesi, edhe nëse rezultatet certifikohen më vonë.

“Sepse të gjitha kanë relevancën e tyre dhe ta zëmë në analogji me procesin zgjedhor, zgjedhjet bëhen në një datë të caktuar, ta zëmë në rastin e fundit më 7 qershor, dhe edhe nëse rezultatet certifikohen një ditë pas, dy ditë pas, dy javë pas, data e zgjedhjeve mbetet 6 apo 7 qershori.

Dhe seanca e djeshme, pra presidenti i vendit në kuptimin e gjerë të fjalës është zgjedhur në seancën e mbajtur më 6 tetor, jo më 7 tetor, sepse nuk ka pasur seancë të thirrur për datën 7 tetor. Andaj, besoj që ka mundësi që kjo çështje të tejkalohet, nëse vetëm se do të ketë kërkesë për interpretim, por që unë besoj që nuk është e dobishme që të ketë interpretim kaq të ngushtë të normës kushtetuese deri në sekonda në këtë kuptim”, ka shtuar Cakolli.

Të fundit nga rubrika