Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka dhënë detaje pas takimit që pati me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Radoniqi, para gazetarëve, bëri të ditur se KQZ-ja preferon 7 qershorin si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, njofton Dukagjini.
Radoniqi, mes tjerash, u shpreh se kjo datë do të ishte e përshtatshme edhe për të bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Sa më vonë. Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë…Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, tha ai pas takimit që ka zhvilluar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Kujtojmë se pas zhvillimeve politike dhe dështimit të procesit për zgjedhjen e presidentit, Kosova pritet të hyjë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh.
Sipas llogaritjes së afateve ligjore, duke marrë si pikënisje datën 29 prill, kur kanë filluar të rrjedhin procedurat për zbatimin e vendimeve kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor.