Lea Ypi: Shpresa është detyrë morale

Filozofja Lea Ypi, 42 vjeçe, ka lindur në Tiranë dhe jep teori politike në London School of Economics and Political Sciences. © Henning Kretschmer për DIE ZEIT

Autorja dhe ligjëruesja shqiptare tregon mbi atë që i mungon më shumë për atdheun e saj, dhe se si një fëmijëri komuniste e zhytur në gënjeshtra ndezi interesin e saj për filozofinë.

Lea Ypi u rrit në fortesën e fundit staliniste në Evropë: në Shqipëri. Ajo nuk e kishte idenë që Xhafer Ypi, ish-kryeministri i Shqipërisë, një njeri që duhej ta përçmonte, ishte stërgjyshi i saj, as që prindërit e saj ishin asgjë tjetër veçse entuziastë të regjimit komunist. Në librin e saj, “Free”, ajo kujton se në vitin 1991, kur komunizmit në Shqipëri i erdhi fundi, prindërit e saj zbuluan të vërtetën dhe i thanë se vendi kishte qenë një “burg i hapur për gati gjysmë shekulli”. Ajo vazhdon të shkruajë për përvojën e saj të tmerrshme të luftës civile në vitin 1997. Ypi është profesoreshë e teorisë politike në “London School of Economics”.

Ypi ka dhënë një intervistë për The Guardian për gazetaren Kate Kellaway.

Ju shpjegoni se “biografia” ishte një koncept turbullues në Shqipërinë komuniste. A ishte kjo ironi në mendjen tuaj teksa nisët të shkruani për kujtimet tuaja?

Nuk u nisa të shkruaja një biografi – do të shkruaja një libër filozofik, por më pas ndodhi Covid-19. Unë isha në Berlin duke u strehuar nga fëmijët e mi që më ndiqnin gjithmonë nëpër shtëpi. Ata mendonin se nëse do të ishim të gjithë në shtëpi, nuk duhej njerëzit të punonin, të gjithë duhet të luanin dhe ishte gjithmonë e diel. Kështu që e kisha fshehur në dollap dhe libri bëhej gjithnjë e më personal, sepse kishte të bënte pikërisht me këtë përvojë të kufizimit fizik të rrethuar nga pasiguria e madhe se çfarë do të thoshte liri në një shoqëri liberale. Unë kisha qenë në një izolim në Shqipëri, në vitin 1997, dhe megjithëse krejtësisht ndryshe dhe e frikshme, sepse kishte një luftë jashtë, kjo ishte një ndjenjë deja vu.

Fëmijëria juaj ishte një epokë injorance. A ka ndikuar fshehja e së vërtetës para syve tuaj në aftësinë tënde të mëvonshme për të besuar?

Është kalimi nga mosnjohja, në njohjen e sfidave: a është e vërteta e re vetëm një tregim tjetër i ri? Ndjenja e skepticizmit për të vërtetën e zbuluar pas një gënjeshtre të madhe nuk më ka lënë kurrë. Është ajo që më tërhoqi nga filozofia. Unë punoj me Kritikën e Arsyes së Pastër të Kantit, dhe një gjë që i jep formë filozofisë së tij është kjo përpjekje për të shkëputur arsyen nga dogmatizmi dhe skepticizmi. Për mua, të qenët kritike përfshin mospranimin e dogmës. Por, rreziku i kundërt është skepticizmi – pasi të refuzoni të vërtetat që ju janë dhënë, mund të mbeteni me shumë pak dhe një paaftësi për të besuar që mund të jetë paralizuese. Përpiqem të jem e qartë dhe të gjej mënyra për të rrënjosur veten në moralin abstrakt.

Si ishte Shqipëria si vend, përveç politikës së saj, dhe a ju mungon?

Më mungon shumë, me verat e nxehta dhe të thata, dhe dimrat e ftohtë e me stuhi. Të rritesh në bregdet në të gjitha stinët të bën të lidhesh ndryshe me detin. Ajo ka një natyrë të çuditshme për të. Shkolla jonë e mesme ishte afër detit dhe ne ndonjëherë shkonim në plazh në kohen e pushimit… Edhe kur isha e vogël e dija se kishte një botë larg Shqipërisë në anën tjetër të detit.

Ku jetoni tani?

Kur njerëzit pyesin: “Ku është shtëpia për ju?”, Unë gjithmonë përgjigjem: Heathrow, Terminali 5 [qesh]. Nuk e di se ku i përkas… nuk është as Shqipëria më, sepse tash ndjehem si një emigrante atje. Unë udhëtoj shumë dhe kam lidhje me shumë vende. Por le të themi se shtetësia ime zyrtare dhe vendbanimi janë Londra.

Gjyshja juaj tha: “Shpresa është diçka për të cilën duhet të luftosh. Por vjen një moment kur kthehet në iluzion.” Për çfarë shpresonit si fëmijë? Për çfarë shpresoni tani? Dhe a është shpresa për planetin tonë vetëm një iluzion?

Shpresoja të isha një qytetare e mirë. Jam rritur me ndjenjën e përgjegjësisë politike. Ndjeva se isha pioniere dhe e identifikuar me shtetin dhe partinë. Ajo që shpresoj tani është, në fakt, jo shumë e ndryshme: dua të jem një person i mirë, i përgjegjshëm i shoqërisë dhe të promovoj lirinë. Unë kam një përgjigje filozofike për pjesën e fundit të pyetjes. Shpresa është një detyrë morale – ne duhet të veprojmë sikur ka mundësi që gjërat të shkojnë në një mënyrë që është e favorshme për atë që duam të arrijmë. Nëse do të ishim nihilistë, nuk do të mund ta mbanim atë ndjenjën e përgjegjësisë.

Liria është një preokupim i juaj i vazhdueshëm. Si e përkufizoni?

Liria është, gjithashtu, një vetëdijesim për detyrën, mendimi se ju mund ta bëni detyrën tuaj sado e vështirë të jetë. Dimensioni i brendshëm moral më jep themelin nga i cili mund të kritikoj shoqërinë. Ne jetojmë në një botë të marrëdhënieve asimetrike të pushtetit në të gjitha nivelet në të cilat ka një ushtrim të pushtetit nga të fuqishmit, dhe ata që janë më të dobët dhe më të prekshëm janë marrësit pasivë të këtij pushteti. Kjo dinamikë e marrëdhënieve të pushtetit është thelbësisht armiqësore për lirinë.

Ju jeni rritur në një familje myslimane që kërkohet të shfaqni besimin. A keni besim fetar tani?

Shqipëria ishte shtet ateist – Zoti ishte një tufë gënjeshtrash. Në momentin kur çdo e vërtetë në të cilën besoja doli të ishte një gënjeshtër, pyesja veten nëse gënjeshtra për Zotin mund të kishte qenë e vërtetë. Në vitet ’90 fillova të eksploroja të gjitha religjionet. Unë isha katolike për disa muaj, pastaj fillova të shkoja në xhami dhe të praktikoja Ramazanin. Unë do të eksploroja edhe Budizmin, por përfundova duke studiuar filozofi, sepse nuk i dija përgjigjet. Unë jam agnostike tani.

Nëna juaj shfaqet në mënyrë madhështore si një oratore e sukseshme, një person me shumë energji … a jeni fare si ajo?

Unë jam frymëzuar gjithmonë nga guximi i nënës sime. Përpiqem ta imitoj atë, megjithëse nuk jam e sigurt nëse ia arrij qëllimit. Si fëmijë, kur shëtisnim së bashku nëpër Durrës, në qytetin tim, natën ishte shumë errësirë, kishte shumë të dehur dhe unë isha shumë e frikësuar, por në të nuk kishte aspak frikë. Unë do të thosha: “Ky person është i çmendur, ai është i dehur, ai do të na sulmojë.” Dhe ajo do të thoshte: “Jo, ne do ta sulmojmë atë!”

Ju shkruani në mënyrë sensuale për arratisjen e nënës suaj jashtë vendit me vëllain tuaj gjatë luftës civile, por duket se ajo e ndau familjen në dysh. Kjo duhet të ketë qenë shumë shqetësuese?

Ishte. Vetëm më vonë kuptova se ajo ishte në një situatë ku ajo ndjente se po shpëtonte një fëmijë, por gjyshja ime kishte gjithmonë këtë kundërpërgjigje: “Ti po lë një fëmijë tjetër”. Kam bërë disi paqe me të, por ishte e vështirë në atë kohë.

Keni dëgjuar ndonjëherë nga shoqja juaj e fëmijërisë, Elona, ​​historinë prekëse të së cilës ju e tregoni dhe e cila u largua nga vendi në moshën 13-vjeçare dhe u bë prostitutë?

Ajo vdiq një javë pasi libri im doli. Dikush që e njohu atë më shkroi. Qava me ditë të tëra kur e mora vesh këtë lajm.

Si u bëtë profesoreshë në LSE?

Kam studiuar filozofi në Romë – ishte një karrierë e drejtpërdrejtë akademike që andej. Pastaj bëra një doktoratë në Firence, shkova në Oksford për studime postdoktorale dhe mora punën time në LSE.

Çfarë lloj lexuese keni qenë në fëmijëri?

Më pëlqeu mitologjia greke. Isha plotësisht e fiksuar pas perëndive dhe për faktin se ata ishin kaq të fuqishëm dhe të pafuqishëm në të njëjtën kohë. Në Shqipëri zgjedhja e librave ishte shumë e vështirë dhe e kufizuar. Lexova të gjithë librat në librari dhe bibliotekën e fëmijëve, pastaj shkova në bibliotekën e të rriturve, ku fillova të lexoja Iliadën dhe Odisenë dhe përrallat ruse.

Cilin libër do t’i jepnit një të riu?

Mitet greke! Fëmijët e mi janë 11, gjashtë dhe katër vjeç. Unë në fakt dy fëmijëve të mëdhenj i ua dhashë t’i lexonin nga mosha pesë vjeçare…

Çfarë keni ndërmend të lexoni më pas?

“Biografia e Ismail Kemal Beut”, një kujtim i liderit politik shqiptar Ismail Qemali, i cili ishte babai themelues i shtetit shqiptar, sepse libri im i radhës është për rënien e Perandorisë Osmane. Dhe “Stalingrad”-i Vasily Grossman-it dhe një ose dy libra historie. Dhe kam në plan të lexoj “The Radetzky March” nga Joseph Roth.

A ekziston leximi i lehtë për ju? Ku ndaleni për një lexim më të rehatshëm?

Nuk mendoj kështu [qesh]. Te novelat e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Libri im i preferuar është Demonët e Dostojevskit – një eksplorim i mahnitshëm i historisë së ideve dhe shpirtit njerëzor.

Të fundit nga rubrika