Për herën e tretë, Lëvizjes Vetëvendosje nuk iu pranua propozimi për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, andaj konstituimi i Kuvendit dështoi edhe në tentativën e 11-të. Por, për ta gjetur një zgjidhje, Albin Kurti i dërgoi letër për koalicion qeverisës Lumir Abdixhikut të LDK-së. Nga kjo parti përmendën nevojën për kërkim falje nga Kurti për gjuhën që kishte përdorur në fushatë.

Analisti,  Ylli Hoxha deklaroi se letra e tretë e dërguar nga ish-kryeministri, Albin Kurti ndaj kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] është hap i vogël ndaj një “kantrahure” të madhe të krijuar në bllokadën politike të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Një hap në konstatimin se ka nevojë për koalicion. Tash, a rezulton në pjesën e dytë, me zbutjen ndaj pozicionit ndaj PDK-së. Ky është hap i vogël ndaj një kantrahure të madhe të krijuar”, deklaroi Hoxha.

Ai tha se letra e dërguar e sotit është komunikim publik por edhe një përgjigje ndaj PDK-së se nuk janë të interesuar për koalicion paszgjedhor.

“Konsideroj hap të mirë këtë letër. Prej 3 muaj pas zgjedhjeve, ish kryeministri Kurti e vlerëson koalicionin prej njëri prej dy subjekteve të domosdoshme. Kjo letër e dëshmon këtë. Ky është komunikim publik. Hap përpara në zhbllokimin nga pozicioni që nuk më duhet askush për asgjë, e unë mendoj për 12 herë Albulena Haxhiut. Kjo letër e ka një mesazh brenda, atë PDK-së. Ku Kurti thotë se nuk janë të interesuar për koalicion me PDK-në. Për Kurtin dhe ne, koalicioni me LDK bukur i vështirë”., shtoi ai.

Hoxha tha se ka pasur të kaluar problematike të koalicionit Qeveria Kurti 1 dhe mënyra  e shthurjes. Ai shtoi në “Debat Plus” se nuk parasheh përspektive të këtij komunikimi i cili pritet të prodhojë koalicion. Hoxha tutje tha se detyra kryesore është konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ku ky i fundit duhet të “marrë vendime serioze krahasim me ngjarje të mëdha të vendit”.

Ai tha se “formalisht” Kurti nuk është mandatar formalisht, pavarësisht që ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ka abuzim të jashtëzakonshëm me Kushtetutën, i cili është i patolerueshëm, ku ti voton 11 herë për Kuvendin, 8 herë për kandidaten e 3 herë me një farë eskivimi të punës së Kuvendit. U bë abuzim i madh”, vijoi Hoxha.

Ndryshe, Për herë të tretë, Albin Kurti ka dërguar një letër për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, tani për një koalcion mes dy partive.

Në kërkesën e tij, Kurti shprehet se nuk ka pasur asnjë problem me Abdixhikun dhe se koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime.

“Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, thuhet në letrën e Kurtit.

“Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet tutje në letër.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar para mediave se ka marrë letrën e dërguar nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, por tha se ende nuk e ka shqyrtuar plotësisht.

“Kam marrë një letër, do të kthej përgjigje. Do të shkoj në zyrë ta shoh letrën njëherë. Do të kthej përgjigje me kohë”, ka deklaruar Abdixhiku para mediave.

“I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë. Do të kemi përgjigje zyrtare, ashtu siç i takon një partie”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka hyrë në javën e pestë të bllokadës politike, pa arritur ende të konstituohet.

Përpjekjet për zgjedhjen e kryesisë kanë dështuar disa herë, ndërsa seanca konstituive pritet të vazhdojë këtë të hënë në orën 10:00.

Të shtunën që shkoi, deputetët e Kuvendit për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kryeparlamentarin.

Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, akuzoi partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, për bllokim të procesit.

Ndërsa, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.

Sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve po tenton që të “mbajë pushtetin me çdo kusht”, duke e akuzuar sërish se ka një mentalitet “të diktatit”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ndryshimi i mënyrës së votimit për kryeparlamentarin gjatë procesit është jokushtetues dhe se LDK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun.

Edhe Time Kadrijaj nga AAK e quajti ndryshimin joligjor dhe tha se është taktikë e LVV-së për të mos e dështuar Haxhiun.

Ajo kërkoi që LVV-ja të propozojë një tjetër emër.