Lindja e absurdit

Albert Camus

Vepra I Huaji e filozofit Albert Camus (Albert Kamy) fillon me vdekje “Nëna vdiq sot”, dhe përfundon me dënimin me vdekje të Mersos, heroit të veprës, anti-heroit të shoqërisë, arketipi i letërsisë dhe prototipi i filozofisë. I Huaji është keqkuptuar dhe keqinterpretuar me dhe pa të drejtë, duke marrë definime nga më të ndryshmet të cilat shpesh devijuan edhe esencën e kësaj vepre.

Merso është individi që i rrëfehet dhe rrëfen për botën, por refuzon rrëfimin para priftit. Siç deklaron edhe Merso, fundi i tij është njëkohësisht edhe fillimi i tij “Në atë çast, në kufi të natës, sirenat filluan të oshtijnë. Ato paralajmëronin nisjet në një botë që tash më dukej e parëndësishme përgjithmonë”, por që paraqiste një lloj gëzimi dhe lumturie për vet Merson, sepse ai për herë të parë e kupton gjendjen dhe jetën e nënës së tij, duke e parë atë nga perspektiva niçeane e rikthimit të amshuar të së njëjtës, “Duke qenë afër vdekjes është dashur që nëna ta ndjente veten të lirë dhe të gatshme që të përtëritet e tëra përsëri. Askush, askush s’ka pasur të drejtë të qajë mbi kufomën e saj”.

Ku mundemi sot ta gjejmë absurdin e Kamy-së, si gjendje apo si shije?! Të mbetur veç në veprat e tij, ku secilit lexues i shkon mendja tek romani I Huaji, me protagonist kryesor Merson, i cili me veprimet e tij shpreh edhe gjendjen absurde që mbretëronte në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Pra absurdi ishte përpjekje për ta definuar një gjendje e cila mbretëronte pas vdekjeve të mëdha. Shpesh më rastisë të bisedoj me njerëz ose më mirë të themi me lexues që absurdin e kanë më shumë shije sesa gjendje. Ky fenomen vjen si konsekuencë e leximeve, keqinterpretimeve, pastaj imitimeve të heronjve të literaturës, shto këtu imitimin absurd të Mersos së shkretë, ku determinohet edhe ndrydhja e ndjenjave për një çështje të domenit onto-metafizik.

Manifestimi i absurdit

Merso është bastardi i parë i periudhës së post-mortumit të madh metafizik, është ai nihilisti niçean që është i prirur të shkoj drejt X-it. Jeta s’ka ndonjë predestinim saqë është e natyrshme edhe vdekja dhe ballafaqimi me te. Merso nuk lutet sepse tashmë ai është anti-heroi i parë metafizik, pranon fundin jo si luftë por si proces, si rënie drejt një lumturie e cila më në fund përmbushë vet Merson dhe ai atë na rrëfen “unë u rrëfeva për herë të parë para indiferencës skofiare të botës. Duke sprovuar në vete se më ngjante mua, më në fund aq vëllazëror, ndjeva se qeshë i lumtur dhe se ende isha i lumtur”.

Te secili që ka lexuar këtë roman, është vërejtur një dozë magjepsjeje, nga tema që trajton Kamy, e që prezantohet përmes Mersos, i cili absurdin e tij e shfaqë në çdo ballafaqim, me të gjithë, shkalla e absurdit është përballja e tij me vdekjen e nënës së tij, pastaj vrasja e arabit, ballafaqimi me priftin, me veten etj.

Dielli si rikonfigurim semantik

Domeni metaforik ka qenë gjithmonë një teren i veçantë për autorët të cilët kanë shënjestruar tema polisemike dhe këtu nuk përjashtohet edhe Kamy. Dielli në veprën I Huaji zë një hapësirë tejet të madhe, ku mund të themi se përmendet diku dyzetetreherë(43) dhe jo rastësisht dielli si figurë përfaqëson anti-aufklarungun iluminist. Dielli si figurë alegorike është përdorur shumë nga autorë të ndryshëm, sidomos gjatë periudhës së Iluminizmit, ku është bërë figura esenciale dhe reprezentative e kësaj periudhe. Por fillet e përdorimit të parë të kësaj figure i gjejmë në antikitetin grek, më konkretisht te Platoni, me Alegorinë e shpellës ku dielli është figurë që përfaqëson mendjen ose arsyen, që te Platoni janë etnitete përmes të cilave mundet të rroket bota e kuptueshme (noumenale), ose bota e vërtetë siç e quante ai. Pra bota e shqisave ose bota e dukshme, (fenomenale) ishte bota e hijeve, ku domeni ynë shqisor na ngërthen në një gënjeshtër, që paraqet realitetin, dhe pa arsyen që ishte sinonim i diellit, ne asnjëherë nuk mund të dalim nga shpella. Kamy, te vepra I Huaji bën një rikgonfigurim semantik dhe epistemologjik të figurës së diellit te vepra I Huaji duke e paraqitur atë nga disa dimensione të ndryshme të cilat shprehin esencën e kësaj vepre.

Rikonfigurimi semantik që Kamy i bën diellit si figurë, merr perspektivë të re anti-platonike anti-racionalite duke rrënuar “alegorinë e shpellës” së Platonit, ku Merso është tashmë arketipi i subjektit që kishte dalur nga shpella, por që dielli në këtë rast në vend që ta iluminonte e kishte verbuar dhe si shkak i tij, vije deri te krimi, kurse burgu është figura që simbolizonte shpellën, habitatin e përshtatshëm ku Merso për herë të parë ndihet i lirë siç edhe e përshkruan “gjëja që më së shumti më mundonte ishte fakti se mendoja si njeri i lirë”, burgu (shpella) ishte vendi ku dielli nuk do të mund të depërtonte, nuk mund ta shqetësonte dhe ta tundonte Merson, ishte habitati i vetëm, ishte arritur komoditeti sensual “ç’prej asaj dite ndjeja veten se në qeli isha si në shtëpinë time dhe se jeta ime ishte gozhduar për të”,  dhe ishte përjashtuar ai racional. Kjo figurë tashmë është “dielli i zi i modernitetit”, nuk është burim i njohjes i së vërtetës, “Desha ta bind se unë isha njeri, sikurse edhe gjithë të tjerët, krejt si të tjerët. Mirëpo, të tëra këto vajtën huq, dhe unë hoqa dorë nga kjo për shkak të përtacisë”.

Kjo gjendje tregon rolin që ka tashmë dielli si figurë metaforike, ku njohja e realitetit,  tashmë kuptimi i vetëm i tij është revoltues dhe që shkakton vetëm irritim, mllef, “arapi nxori thikën e vet, të cilën e pashë fare mirë në diell”, “Kur Rejmoni ma dha revolen e vet, ajo shkëlqeu nga dielli”. Kurse rikonfigurimi epistemik kalon në konsekuencat negative që shkakton dielli si figurë, dhe si i tillë manifestohet me krim, madje ajo definohet edhe si sëmundje “nëse ecim ngadalë, mund të na zëjë sëmundja e diellit”. “Ishte ky po ai diell si atë ditë kur e varrosa nënën dhe, si atëherë, kisha dhimbje koke”, dhe ndikimi negativ vazhdon, “Ndjeva vetëm të goditurat e diellit nëpër ballë dhe, tehun e paqartë verbues që gufonte nga thika, të drejtuar përherë nga unë”. Dhe duke arritur deri te akti heroi i absurdit, na rrëfen, “Rejmoni, plazhi, larja, grindja, përsëri plazhi, burrërimi i vogël, dielli dhe pesë të shtëna me revole”. Pra autori absurdin që mbretëronte në atë kohë, ia atribuonte diellit.

Maria e Kamysë si antipod i Maria Magdalenës

Kamy në veprën I Huaji si personazh ose më mirë të themi si të dashur të Mersos paraqet një vajzë e cila quhet Maria, pra ky emër nuk është përzgjedhur rastësisht nga autori për ta paraqitur si të dashurën e Mersos, të njeriut absurd, madje mardhënjen seksuale menjëherë pas varrimit të nënës së tij, autori e paraqet si shënjim anti-religjioz. Mendoj se intenca e autorit ka qenë që të ironizojë me një emër dhe figurë të njohur të historiografisë religjioze. Semiotika tekstuale e veprës I Huaji na dërgon ka gjurmët prezente në tekst.

Shenja e parë është emërtimi i Mersos si Anti-krisht, ”Puna jonë e sotme mori fund, zotëri Antikrisht”, pra referenca është e qartë se Maria në tekstin e Kamy-së është Magdalena dhe kështu Merso e përshkruan atë, “Qysh atë ditë kur më ra në dorë letra e saj (më pat treguar se nuk po e lëshonin të vinte më, sepse nuk ishte gruaja ime)”. Maria në tekst paraqitet si personazh pozitiv, duke qeshur, një femër e hareshme, pozitive dhe e përkushtuar. “Mbështetur mbi parmakët, ajo qeshte me të madhe. Pashë se ishte shumë e bukur, mirëpo këtë nuk munda t’ia them”. Pra Maria ishte plotë shpresë që simbolizonte Maria Magdalenën dhe mirësinë e saj në raport me Krishtin. Mund të aludojmë se autori me emërtimin “Mari” ka mundur përveç shënjestrimit të parë te Maria Magdalena, të aludonte edhe te Shën Mëria, por për ta përligjur këtë aludim duhet të jepen argumente me ndonjë punim tjetër.

Të fundit nga rubrika