Lipavsky për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës: Kushtojini vëmendje thirrjes së BE-së

Ministria e Punëve të Jashtme të Çekisë ka reaguar pas situatës në veri të Kosovës, duke u bërë thirrje të dy palëve që të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në dhunë

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky





Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, është shprehur i shqetësuar pas tërheqjes së serbëve të Kosovës nga institucionet e vendit.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Lipavsky u ka bërë thirrje të dy palëve që të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të situatës dhe në tensione.

“Jam shumë i shqetësuar për tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. U bëj thirrje të gjithë të përfshirëve që t’i kushtojnë vëmendje thirrjes që përmban Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, në emër të BE-së”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, në një komunikatë për media, ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë, u ka bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të serbëve në Kosovë që të kthehen në institucionet e Kosovës.

“U bëjmë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës. U bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, po ashtu thuhet se “duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe”.

Të shtunën e pesë nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Pos zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Njoftimi vjen pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriutNenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut, të dielën është mbajtur një protestë – e thirrur nga Lista Serbe – për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS – Republika e Kosovës.

Pamje nga protesta

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.





Shija e redaktorit

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

ASK: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë të regjistruar...

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë...

Të fundit nga rubrika