Lista Serbe pas vendimit për shpalljen e organizatave terroriste: KFOR-i dhe EULEX-i ta pengojnë planin e Kurtit

"Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”

Lista Serbe

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Lista Serbe e ka vlerësuar si “pjesë të planit të regjimit të kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti, për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve”.

“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste, duke argumentuar se këto organizata qëndrojnë pas trazirave në veri të Kosovës dhe se ato paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

Lista Serbe edhe një herë u bëri thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës, në mënyrë që ta “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.

Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – organizata që veprojnë në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe – numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

Në mbledhjen e Qeverisë, kundër këtij vendimi ka votuar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Ai ka argumentuar se ky vendim i ekzekutivit është i nxituar.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Kosova nuk është koordinuar me ta për këtë vendim, e as me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

“Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.

Shija e redaktorit

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

Të fundit nga rubrika