Jakup Krasniqi përfundon vizitën familjare në Kosovë, sot pritet të kthehet në Hagë
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përfunduar vizitën katërditore në familjen e tij në Prishtinë dhe pritet të kthehet sot në Hagë.
Krasniqi ka qëndruar për katër ditë rresht, nga disa orë në ditë, në shtëpinë e tij në lagjen Velania.
Kujtojmë se vizita ishte miratuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për arsye humanitare, pasi ishte raportuar se gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij nuk është e mirë.
Në përfundim të vizitës, Krasniqi është marrë nga automjetet e EULEX-it, ndërsa në afërsi të shtëpisë së tij kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Qëndrimi i tij në Kosovë është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ndërsa ka pasur edhe kufizime në kontaktet me të afërmit.
Po ashtu kujtojmë se Jakup Krasniqi është dënuar në shkallën e parë nga Gjykata Speciale në Hagë me 25 vjet burgim për krime lufte, së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Krasniqi ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Kjo ishte vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë që nga arrestimi i tij teksa vizitën e parë e kishte realizuar më 10 tetor 2024, pas vdekjes së vëllait të tij, Azem Krasniqi.
Edhe në atë rast, Trupi Gjykues ia kishte miratuar kërkesën për vizitë për arsye bindëse humanitare. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai kishte vizituar varrin e vëllait në Negroc të Drenasit dhe ishte takuar me familjarët.















