Gjendet i vdekur punëtori i një ferme për kultivim të peshqve në Istog, Policia nis hetimet
Një burrë është gjetur pa shenja jete sot në mëngjes, në vendin e tij të punës, në një fermë për kultivimin e peshqve në Istog.
Siç bën të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, me konsultimin e të cilit është iniciuar rasti si “Hetim i vdekjes”.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të ndriçuar dhe zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.
"Sot, më 21.11.2026, rreth orës 07:00, është gjetur një person pa vetëdije në vendin e tij të punës në Istog, në një fermë për kultivimin e peshqëve. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës, mashkull i moshës madhore. Po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit në konsultimit me të cilin është iniciuar rast “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë dërgohet në IML. Hetimet janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit", tha Elezaj për Dukagjinin.















