Mbi 100 zyrtarë policorë serbë dorëzuan dorëheqjet e tyre me shkrim

Një numër i zyrtarëve policorë serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, tashmë kanë nisur dorëheqjet e tyre me shkrim në stacionin policor në Mitrovicën Veriore





Mbi 100 zyrtarë policorë serbë të cilët janë të punësuar në Policinë e Kosovës, i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre me shkrim në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut, të dielën e gjashtë nëntorit, shkruan REL.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pasur dorëheqje të punonjësve policorë të komunitetit serb në veri të vendit.

Njoftimet e tyre për dorëheqje janë bërë në rajonet dhe stacionet policore, ku disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave të tjera të parapara.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur gjithashtu se ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, dhe se të gjitha veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar.

Ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjinit, që ka qenë duke raportuar për ngjarjet në veri të vendit gjatë ditës, kanë siguruar dokumentin ku shihet dorëheqja e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës.

“Për arsye personale dhe morale, jap dorëheqje nga Policia e Kosovës”, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes.

Ndryshe, të shtunën e 5 nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Një njoftim i tillë erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

“Kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka treguar se deri kur do të zgjasë bojkotimi institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb.

“Këto vendime do të mbesin në fuqi derisa Prishtina vazhdon të mos respektojë të drejtën ndërkombëtare, që i bie të kthejë prapa vendimin për regjistrimin, derisa të miratojë Asociacionin e Komunave”, ka thënë Goran Rakiq.

Ndryshe, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika