Ndëshkoni dembelët!

E diela duhet të jetë dita kur qytetarët tregojnë se nuk janë spektatorë të mashtrimeve politike, por “gjyqtarë” të drejtë të realitetit. Dhe ky realitet është i thjeshtë: kush ka dështuar, duhet të largohet. Dembelët duhet ndëshkuar!

Të dielën qytetarët e Kosovës do ta kenë në dorë një mjet të fuqishëm: votën. Ajo nuk është vetëm një e drejtë formale që ushtrohet çdo katër vjet, por një mjet për t’i ndëshkuar ata që kanë abuzuar me besimin publik, që kanë mashtruar me premtime e projekte megalomane, që kanë menduar se pushteti lokal është pronë personale e jo përgjegjësi publike. Zgjedhjet lokale të së dielës janë një test jo vetëm për kandidatët, por për qytetarët – për aftësinë e tyre që të bëjnë dallimin mes propagandës dhe punës reale.

Kryetarët aktualë kanë pasur plot katër vjet për t’i treguar qytetarëve se çfarë dinë dhe çfarë duan të bëjnë për komunat e tyre. Jo nëpërmjet videove të montuara apo fjalimeve të bukura, por me rrugë të ndërtuara, shkolla të rregulluara, ajër më të pastër, hapësira publike të mirëmbajtura e qytete të planifikuara për njerëz – jo për tenderë. Në disa komuna premtimet e para katër viteve janë shndërruar në justifikime, ndërsa premtimet e reja janë bërë edhe më të mëdha, sikur kujtesa kolektive e qytetarëve të jetë po aq e shkurtër sa një video parazgjedhore në TikTok.

Në vend se të japin llogari për dështimet, shumë prej këtyre kryetarëve po kërkojnë “edhe një mandat tjetër” për të përfunduar atë që nuk e kanë nisur kurrë. Dhe sërish, me të njëjtën strategji: fotografi të bukura, premtime për “transformim”, slogane për “vizion e zhvillim”. Kjo është tallje me qytetarët. Pse duhet besuar se ata që nuk ka qenë në gjendje të realizojë premtime të thjeshta e konkrete, në të ardhmen realizojnë projekte megalomane?

Votuesit duhet ta kuptojnë se pushteti lokal është vendi ku fillon ndryshimi real. Nuk është çështje e partive, e liderëve qendrorë apo e fushatave me flamuj e brohoritje. Është çështje e jetës së përditshme – e ujit që mungon, e trafikut të ngarkuar, e mbeturinave që nuk pastrohen, e çerdheve që mungojnë. Prandaj, vota e së dielës duhet të jetë e qartë: kundër atyre që kanë vetëm fjalë.

* * *

Qytetetarët duhet t’i refuzojnë ata që premtojnë projekte që duken si fantashkencë, ndërkohë që qytetet ende s’kanë kanalizim të rregullt. Nuk duhen “qendra inovative” aty ku mungojnë shkollat fillore me kushte dinjitoze. Nuk duhen “investime milionëshe” që përfundojnë në tabela propagandistike. Ka nevojë për zgjidhje të problemeve reale.

Një kryetar komune që s’e ka pastruar lumin, s’e ka rregulluar transportin publik dhe s’ka krijuar asnjë hapësirë të gjelbër të re nuk meriton mëshirë, as arsye. Sepse çdo qytetar i atij qyteti e ka ndier dështimin e tij në jetën e përditshme. Ndëshkimi për ta nuk është hakmarrje, por mësim për të tjerët që do të vijnë pas tij: nëse s’e përmbush detyrën, ik!

Një pjesë e qytetarëve kanë rënë në apati, mendojnë se “të gjithë janë njësoj”, ndaj s’ia vlen të votohet. Por, pikërisht kjo është arsyeja pse të njëjtit njerëz rrinë nëpër zyra disa mandate.

Ndryshimi nuk ndodh nga idealizmi, por nga veprimi. Të dielën, ai veprim quhet votë. Dhe vota nuk duhet të shkojë për “mikun”, për “partinë”, apo për “atë që ka më shumë reklama”, por për atë që ka treguar rezultate dhe premton zgjidhje.

Demokracia lokale nuk mund të përparojë me indiferencë. As me liderë që shfaqen vetëm në fushatë. Duhet të kthehet parimi i llogaridhënies – që secili kryetar ta dijë që nëse nuk punon, qytetarët do ta largojnë. Vetëm atëherë politika lokale do të bëhet konkurrencë për ide, jo për tenderë.

Të dielën nuk duhet votuar për fjalë të mëdha, por për projekte të të realizueshme. Nuk duhet votuar për fasada e dizajne të bukura, por për njerëz që dinë të punojnë me ndershmëri. Nuk duhet votuar ata që ju kanë lodhur me premtime të pambajtura, por për ata që mund të sjellin ndryshim të vërtetë. Sepse ndryshimi fillon me një vendim të arsyeshëm, me një votë të ndershme.

E diela duhet të jetë dita kur qytetarët tregojnë se nuk janë spektatorë të mashtrimeve politike, por “gjyqtarë” të drejtë të realitetit. Dhe ky realitet është i thjeshtë: kush ka dështuar, duhet të largohet. Dembelët duhet ndëshkuar!

Të fundit nga rubrika