Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot se ka caktuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën.
Në një postim në Facebook, Osmani i ka uruar Kurtit suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
“Sot, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, kam caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. I uroj suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ju priftë e mbara!”, ka shkruar ajo.
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sonte në një seancë të re për formimin e Qeverisë.
Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca ishte planifikuar për në ora 20:00, por ende nuk ka nisur, pavarësisht se tashmë ka kaluar gjysmë ore nga koha e caktuar.
Seanca vjen pas konstituimit të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, ku Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit.