Gjatë ditës së premte në Paris, në margjinat e Forumit të Paqes, i cili po mbahet në këtë qytet përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti, Josep Borrell, ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takime të ndara.

Borell, në këto takime të ndara ishte i shoqëruar nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Pas këtij takimi, Borell kërkoi që serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj në targa me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme.

Rreth këtyre takimeve, Borell do t’i informojë Shtetet Anëtare të BE-së, të hënën, në Këshillin e Punëve të Jashtme, rreth diskutimeve të tij, dhe do të japë analizën e tij të situatës.

Takimi nga perspektiva e Kurtit

Kryeministri Kurti në këtë takim theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

Gjatë qëndrimit të tij në Paris, Kurti, përveç Borell dhe Lajcak, ka bashkëbiseduar edhe me përfaqësues të lartë shtetërorë e institucionalë.

Sa i përket mbështetjes për programet sociale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti ka diskutuar me guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Carlo Monticelli.

“Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, Gordan Grliq Radman, Kryeministri Kurti diskutoi për marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve, si dhe mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë.

Tutje, në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se në qendër të bisedës me ish-nën Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jean-Marie Guéhenno, ishte situata gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

Në këto takime, kryeministri Kurti ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për sundimin e ligjit, ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.

Takimi nga perspektiva e Vuçiqit

Sipas Vuçiqit, në takimin e tij me Borellin dhe Lajcak, ata nuk kanë qenë optimistë pas bisedës me Albin Kurtin.

“Çfarëdo që të bëjë Kurti, ai do të ketë mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe… Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova, por ne duhet të gjejmë një zgjidhje kompromisi”. A dëshiron Britania të heqë dorë nga Skocia, nuk do ta bëjë”, tha Vuçiq.

Siç ka thënë ai, disa njerëz në Evropë presin që Serbia të gabojë,  dhe që të gjithë fajin ta hedhin mbi Serbinë.

“Dhe ata do të heshtin përgjithmonë. Kurti mund të bëjë çfarë të dojë dhe nuk do të marrë asnjë paralajmërim. Dhe nëse serbët i përgjigjen dhunës në Kosovë, për gjithçka do të fajësojnë Serbinë”.

Paralajmërimin për mostakim me Kurtin, Vuçiq e ka bërë gjatë së enjtes së 10 nëntorit, ku ka thënë se nuk ka shumë gjasa të takohet me kryeministrin Kurti.

E më shumë shpresa kishe Kurti, i cili në njoftimin që do të udhëtonte për në Paris, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes tha se “mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë, i cili po ashtu është ftuar atje”.

Edhe presidentja Osmani në Paris

Presidentja Vjosa Osmani, në një diskutim gjatë së premtes së 11 nëntorit, në Forumin e Paqes në Paris, ka folur edhe rreth luftës së Rusisë në Ukrainë, ku ka potencuar se agresioni rus mbi popullin ukrainas duhet të ndalet.

Presidentja Osmani së bashku me Prindonin në darkë te Macron në Pallatin Élysée

Osmani, gjithashtu, u prit në darkë gjatë së premtes, në mbrëmje nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée.