Ka diçka thellësisht të njohur në mënyrën se si Beogradi reagon sa herë institucionet e Kosovës ndërmarrin hapa për të zbatuar ligjet e veta. Narrativa është e njëjtë, pothuajse e pandryshuar ndër vite: çdo veprim institucional përkthehet në kërcënim, çdo vendim ligjor shpallet si diskriminim, ndërsa çdo përpjekje për rend dhe rregull shndërrohet në “plan për dëbim”. Kësaj radhe, preteksti është zbatimi i ligjit për të huajt.
Në vend se të shihet si një procedurë normale shtetërore – që ekziston në çdo vend të botës – zbatimi i këtij ligji është shndërruar në instrument propagandistik. Zyrtarë në Beograd kanë nxituar ta paraqesin si dëshmi të një projekti të pretenduar për “zbrazjen e Kosovës nga serbët”. Është një pretendim i rëndë dhe i pabazë. Dhe pikërisht këtu fillon problemi: kur propaganda e zëvendëson faktin, frika bëhet mjet politik.
Ligji për të huajt nuk është shpikje e re, as mekanizëm i dizajnuar kundër një komuniteti të caktuar. Ai është pjesë e një rendi juridik që rregullon statusin e shtetasve të huaj, hyrjen, qëndrimin dhe dokumentacionin e tyre. Zbatimi i tij nuk është selektiv në thelb, por i përgjithshëm. Në çdo shtet funksional, ligjet nuk janë opsionale – ato zbatohen.
Por për Beogradin, çdo zbatim i ligjit në Kosovë është problem vetëm sepse vjen nga institucionet e Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë me përmbajtjen e ligjit, por me refuzimin e realitetit politik. Përderisa ky refuzim vazhdon, propaganda mbetet mjeti kryesor për ta mbajtur gjallë një narrativë që nuk mbështetet në fakte, por në emocione dhe manipulim.
Është e rëndësishme të kuptohet se kush është audienca e kësaj propagande. Nuk është vetëm publiku ndërkombëtar, por para së gjithash vetë serbët në Kosovë. Duke u thënë vazhdimisht se janë të rrezikuar, se institucionet duan t’i dëbojnë, krijohet një ndjenjë pasigurie e përhershme. Kjo pasiguri pastaj përdoret për t’i mbajtur ata të lidhur politikisht dhe emocionalisht me Beogradin.
Në këtë mënyrë, qytetarët serbë në Kosovë nuk trajtohen si individë me të drejta dhe përgjegjësi, por si instrument politik. Ata shndërrohen në pengje të një beteje propagandistike që nuk ka për qëllim mirëqenien e tyre, por ruajtjen e një narrative të caktuar.
Ironia është se, ndërkohë që flitet për “dëbim”, realiteti në terren tregon një tjetër histori. Serbët në Kosovë gëzojnë një nivel të gjerë të të drejtave kolektive dhe individuale, të garantuara me kushtetutë dhe me një sërë ligjesh specifike. Nga përfaqësimi politik i garantuar deri te përdorimi i gjuhës, arsimi dhe shëndetësia – këto janë standarde që shpesh tejkalojnë edhe praktikat në vende të tjera të rajonit.
Por propaganda nuk merret me këto fakte. Ajo funksionon mbi selektivitetin: merr një element, e nxjerr nga konteksti dhe e amplifikon deri në atë pikë sa të duket si e vërteta e vetme. Në rastin e ligjit për të huajt, ky selektivitet është i dukshëm. Nuk flitet për përmbajtjen e ligjit, për mënyrën e zbatimit, apo për faktin se ai prek të gjithë ata që nuk kanë status të rregulluar – pa dallim etnie. Flitet vetëm për një “qëllim të fshehtë”, që në fakt nuk ekziston.
* * *
Ky është një model i njohur i komunikimit politik në Serbi: krijimi i krizave artificiale për të shmangur përballjen me realitetin. Në vend se të inkurajohet integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, atyre u servohet një narrativë viktimizimi. Në vend se të promovohen zgjidhje praktike për jetën e përditshme, u ofrohen teori konspirative për plane të mëdha dëbimi.
Dhe kjo ka pasoja reale. Kur një komunitet ushqehet vazhdimisht me frikë, ai bëhet më i izoluar, më pak i gatshëm për bashkëpunim dhe më i ndjeshëm ndaj manipulimit. Në vend se të ndërtohen ura mes komuniteteve, ndërtohen mure mosbesimi. Në vend se të forcohet stabiliteti, rritet tensioni.
Për më tepër, kjo propagandë nuk i ndihmon as vetë serbët në Kosovë, por i vendos ata në një pozitë të vështirë, duke i bërë pjesë të një narrative që nuk reflekton domosdoshmërisht interesat e tyre reale. Shumica e qytetarëve duan stabilitet, siguri dhe mundësi për një jetë normale – jo të jenë pjesë e një loje politike.
Institucionet e Kosovës, nga ana tjetër, kanë përgjegjësinë që të komunikojnë qartë dhe në mënyrë transparente çdo veprim të tyre. Zbatimi i ligjit duhet të shoqërohet me informim të saktë, me sqarime të detajuara dhe me një qasje që shmang çdo keqkuptim. Sepse në një ambient ku propaganda është aktive, mungesa e komunikimit krijon hapësirë për manipulim.
Por edhe me komunikimin më të mirë, propaganda nuk do të ndalet. Ajo është pjesë e një strategjie më të gjerë, që nuk lidhet vetëm me një ligj apo një vendim të caktuar. Është një mënyrë e të bërit politikë që synon të mbajë gjallë një konflikt narrativ, edhe kur realiteti në terren është ndryshe.
Pyetja që duhet bërë është e thjeshtë: kujt i shërben kjo propagandë? A i ndihmon ajo serbët në Kosovë të jetojnë më mirë, më të sigurt, më të integruar? Apo i mban ata në një gjendje të përhershme pasigurie, për t’u përdorur si mjet politik? Përgjigjja nuk është e vështirë.