Në reagimin e tij pas vendimit të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës mbi lumin Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk është në një situatë të lehtë.

Ai duke e quajtur kryeministrin Albin Kurti me një term që përdorej për udhëheqësit e lartë nazist, Gauleiter, ka thënë se qëllimi është dëbimi i serbëve nga ajo pjesë.

“Ta dini, edhe sot, Gauleiteri okupues në veriun e Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim vetëm pak ditë nga ato zgjedhje të turpshme false që i mbajtën, për të hapur urën që ishte digë dhe roje e interesave të popullit tonë në veri të Kosovës, në mënyrë që shqiptarët e jugut të Mitrovicës të marrin veriun e Mitrovicës. Kjo është ideja e tyre e kamotshme dhe për shumë vite populli ynë e kundërshtoi”, ka thënë Vuçiq, duke iu drejtuar qytetarëve gjatë vizitës në Sokobanjë.

Kuvendi Komunal në Mitrovicën Veriore të premten ka marrë vendim për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Kryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Nedzat Ugljanin, ka bërë të ditur se ky vendim ka ardhur me propozimin e delegates Aida Doli, për të cilën kanë qenë 13 vota pro, një kundër nga komuniteti serb dhe një abstenim nga komuniteti shqiptar që ka kërkuar shtyrjen e vendimit.

“Është vendim i kuvendit komunal. Ne kemi vendosur të veprojmë sipas standardeve evropiane për lëvizje të lirë. Po e shohim nga ana pozitive këtë”, ka deklaruar ai për Portalin Dukagjini.

Për këtë vendim të propozuar, ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila ka kërcënuar se nëse kjo ndodh do të ketë incidente.