Puna e Institutit Albanologjik gjatë vitit 2022, tregon sekretari shkencor, Lulzim Lajçi
Instituti Albanologjik këtë vit ka pasur një funksionim të rregullt, për dallim nga periudha e pandemisë Covid-19. Kështu ka bërë të ditur sekretari shkencor i këtij Instituti, Lulzim Lajçi, duke numëruar aktivitetet kryesore të sektorit të shkencës. “Gjatë vitit 2022, Instituti Albanologjik ka zhvilluar aktivitete për realizimin e projekteve ekzistuese shkencore në përputhje me programin […]
Instituti Albanologjik këtë vit ka pasur një funksionim të rregullt, për dallim nga periudha e pandemisë Covid-19.
Kështu ka bërë të ditur sekretari shkencor i këtij Instituti, Lulzim Lajçi, duke numëruar aktivitetet kryesore të sektorit të shkencës.
“Gjatë vitit 2022, Instituti Albanologjik ka zhvilluar aktivitete për realizimin e projekteve ekzistuese shkencore në përputhje me programin e punës. Aktiviteti kryesor i sektorit të shkencës është fokusuar në realizimin e 41 projekteve, nga të cilat, 39 ishin individuale, ndërsa 2 kolektive”, ka thënë Lajçi në një intervistë për Dukagjinin.
Gjatë vitit 2022, Instituti e ka vazhduar traditën e nxjerrjes së numrave të “Gjurmimeve albanologjike” të të tri serive: filologjike, historike dhe të folklorit e etnologjisë.
“Gjurmime albanologjike- seria e shkencave historike 52, Prishtinë 2022; Gjurmime albanologjike- seria e shkencave filologjike 52, Prishtinë 2022; Gjurmime albanologjike- Folklor dhe etnologji 52, Prishtinë 2022”.
Lajçi ka thënë se “Gjurmimet janë bërë tribunë e shpalosjes së rezultateve shkencore, jo vetëm për punonjësit e këtij institucioni shkencor, por edhe për bashkëpunëtorët të tij të shumtë, të cilët janë nga të gjitha hapësirat etnike”.
Ai gjithashtu bëri të ditur se revista për kulturën e gjuhës, “Gjuha shqipe” ka dalë me tri numra.
“Revista për kulturën e gjuhës ‘Gjuha shqipe’, sikurse ishte paraparë, ka dalë me tri numra. Pa dyshim se ajo është bërë një tribunë e pikëpamjeve të gjuhëtarëve tanë dhe një ndihmesë e madhe për avancimin e kulturës së gjuhës ndër ne”, ka treguar Lajçi.
“Gjuha shqipe 1/2022, Gjuha shqipe 2/2022, Gjuha shqipe 3/2022”.
Lajç0i shtoi se dy vëllimet e botuara të Javës së Albanologjisë 12/2021, në të vërtetë janë rezultat i punës intensive treditore, në kuadër të aktivitetit shkencor, tashmë tradicional, i konceptuar si ”Java e albanologjisë” 12/2021, ku përfshiheshin të gjitha disiplinat kryesore albanologjike, me mundësi të njëjta të prezantimit të rezultateve shkencore nga secila fushë veç e veç. Mbi tetëdhjetë kumtesa dhe dhjetëra diskutime të lexuara në këtë aktivitet shkencor, tani më janë të botuara në këto dy vëllime.
“Albanologji 12/21, vëllimi I, Prishtine 2022, Albanologji 12/21, vëllimi II, Prishtine 2022″.
Sipas tij, në vëllimin e parë janë përfshirë 30 studime nga sesioni i Gjuhës dhe ai i Letërsisë.
Ndërkaq, në vëllimin e dytë janë përfshirë 32 studime shkencore nga tri sesione shkencore. Dega Etnologjisë zhvilloi punimet me temën bosht Ritet, ritualet dhe ceremonitë dikur dhe sot‐besimet dhe praktikat.
Lajçi shtoi se “Në kuadër të sesionit për folkloristikën, u trajtuan tema interesante për sfidat e folkloristikës dhe etnomuzikologjisë: përkufizimi, terreni, prurjet e reja, dhe sesioni përmbyllës i Javës së albanologjisë ishte ai i fushës së historisë i titulluar ‘Mendimi historik në publicistikën shqiptare të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX’”.
E nga viti 2022, ai tregoi se kanë filluar me nxjerrjen e Vjetarit të Insitutit Albanologjik.
“Nga ky vit kemi filluar edhe me nxjerrjen e Vjetarit të Institutit Albanologjik. Vëllimi i parë përfshin 11 vite të punës kërkimore shkencore të Institutit Albanologjik: Vjetari i Institutit Albanologjik (2010 – 2020), Prishtinë 2022; Pas një numri inicial të botimit të Vjetarit, që përfshinte periudhën pararendëse prej 11 vjetësh (2010-2020), e ku janë përfshirë vetëm disa nga të dhënat më kryesore që lidhen me punën e Institutit Albanologjik, sivjet, po e edhe botojmë numrin e parë që përfshin aktivitetet, botimet dhe të dhëna të tjera me interes për vitin 2021”.
“Vëllimi ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’ – vlerë kombëtare përfshin materialet e sesionit shkencor të mbajtur më 7 mars 2022, dhe është bashkëbotim me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë”.
Ai gjithashtu tregoi arritjet në planin botues, të cilat kanë shënuar vitin 2022.
“Lush Culaj, Parlamenti i Shqipërisë dhe çështja kombëtare 1920 – 1939;
Faton Krasniqi, Analizë leksikore e teksteve shkollore të lëndës gjuhë shqope dhe letërsi për klasat 6 – 9 në Kosovë;
Krenar Doli, Tradita e muzikës sufiste në Kosovë;
Arianit Buçinca, Ilirët e Dardanisë – VI-I p.e.s.;
Myzafere Mustafa, Veçori të krijimtarisë letrare gojore – Qasje teorike dhe interpretim;
Drita Statovci, Shije kulturore;
Abdurrahim Maxhuni, Bibliografia e revistës “Gjuha shqipe” (1982-2022);
Naser Ferri, Gjetjet e reja epigrafike dhe numizmatike të zbuluara dhe të publikuara në Kosovë mes viteve 1980 dhe 2020;
Adil Olluri, Pikëpjekje letrare;
Sali Bytyçi, “Letërsia e tjetrit” përballë realizmit socialist (I) – Poezia;
Angjelina Hamza – Hasanaj, Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë;
Ragip Kçiku, Histori e shkollës shqipe- Njerëzit – ngjarjet – shkollat;
Adem Zejnullahu, Këngë popullore historike V;
Sadri Fetiun, Studiues e veprimtar;
Kumtime historike III”.
Lajçi tregoi për konferencat që ka organizuar dhe bashkoragnizuar Instituti Albanologjik, gjatë vitit që kemi lënë pas.
“Konferenca shkencore Java e Albanologjisë edicioni i trembëdhjetë (pesë sesione: gjuhësi: Revista ‘Gjuha shqipe’ tribunë e rëndësishme për shqipen standarde dhe kulturën gjuhësore; letërsi: Poezia shqipe (1945-1990); histori: Rrugëtime: komunikimet ndër shekuj; folklor: Folkloristika dhe etnomuzikologjia – 70 vjet pas botimit të parë; etnologji: Format dhe praktikat e solidaritetit tradicional e bashkëkohor ndër shqiptarë, 86 pjesëmarrës, prezantimi i botimeve të vitit 2021), 6 – 10 qershor 2022.
Sesioni shkencor Ushtria Çlirimtare e Kosovës – vlerë kombëtare, bashkorganizuar me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë, mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, me 22 kumtesa, gjashtë nga të cilat IA.
Konferenca shkencore Një komb – një gjuhë, bashkorganizuar me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Akademinë e Studimeve Albanologjike, mbajtur në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, më 22-24 dhjetor 2022, me 17 kumtues në dy seancat e Prishtinës.
Konferenca shkencore Gjenocidi serb mbi shqiptarët gjatë shek. XIX-XX, bashkorganizuar me Institutin e Historisë ‘Ali Hadri’ dhe Instittutin e Historisë të ASA, mbajtur në Prishtinë më 7-8 prill 2022, me 66 kumtesa, pesë nga të cilat nga IA.
Konferenca ndërkombëtare shkencore ‘Gjuha, letërsia dhe kultura – arritjet dhe perspektivat’, organizuar me Univeristeti i Tetovës, pjesë e bashkorganizimit me një varg institucionesh sikundër janë: Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Korçës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjakovës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Universiteti i Shkupit, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Gjilanit, Institute of Macedonian Language etj., mbajtur në Tetovë, më nëntor, ku IA u prezantua me nëntë kumtues.
Akademi përkujtimore ‘Pranvera shqiptare ‘81’, bashkorganizim me Shoqërinë ‘Lëvizja’ dhe Bashkinë e Kukësit, mbajtur në Kukës, më 14 janar, në të cilën janë paraqitur tre kumtues.
Tryeza shkencore kushtuar Prof. dr. Sadri Fetiut në 80-vjetorin e lindjes, organi-zuar nga Dega e Folklorit e IA, mbajtur në Prishtinë, më 7 shkurt 2022, me 9 kumtesa.
Tryeza shkencore ‘Veprimtaria shkencore e Profesor Skender Rizajt’, organizuar nga Dega e Historisë e IA dhe Fakulteti Filozofik – Departamenti i Historisë i Universitetit të Prishtinës, mbajtur në Prishtinë, më 1 prill 2022, me 7 kumtesa.
Tryeza shkencore ‘Veprimtaria shkencore dhe intelektuale e Prof. dr. Daut Bislimit’, organizuar nga Dega e Historisë e IA, mbajtur në Prishtinë, më 30 shtator 2022, me 7 kumtesa.
Tryeza shkencore ‘A comparative picture of Late Antique and Early Middle Ages Archaeology of Dalmatia and Dardania’ (Pasqyrë krahasuese e arkeologjisë së antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme të Dalmacisë dhe Dardanisë), organizuar nga Dega e Historisë e IA, mbajtur në Prishtinë, më 1 prill 2022, me 8 kumtesa.
Përurim i librit ‘Gjuha shqipe para dhe pas miratimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve të vitit 2019’, të autorëve Ylber Sela, Jusuf Zejneli, Jeton Shasivari, Argëtim Saliu, Valbona Hajretin dhe Llazo Matovski, botim i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, organizuar nga Dega e Gjuhësisë e IA, mbajtur në Prishtinë, më 20 janar 2022, në të cilin janë paraqitur tre kumtues.
Përurimi i monografisë së Prof. dr. Sali Bytyçit ‘Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën’, organizuar nga Dega e Letërsisë e IA, mbajtur në Prishtinë, me 18 tetor 2022, me tri kumtesa.
Përurimi i monografisë monografisë Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës të Aleksandar Stipçeviçit, bashkorganizuar me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Akademinë e Studimeve Albanologjike, mbajtur në Shkup, më 17.5.2022, në të cilën janë paraqitur katër kumtesa.
Përurimi i monografisë ‘Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999’ të dr. Lulëzim Nikës, organizuar nga Instituti Albanologjik, mbajtur në Prishtinë, më 13 qershor 2022, me pjesëmarrjen e tre kumtuesve.
Përurimi i monografisë ‘Muzika sufiste në Kosovë’ të Krenar Dolit, bashkorganizuar me Ministrinë e Kurturës, të Rinisë dhe të Sportit të Kosovës, mbajtur në Prishtinë, më 31 tetor 2021, me pjesëmarrjen e tre kumtuesve.
Përurimi i librit ‘Folklori: kujtesë e praktikë’ të Prof. dr. Arbnora Dushit, organizuar nga Dega e Folklorit e IA, mbajtur në Prishtinë, më 7 shkurt 2022, me 3 kumtesa.
Përurimi i monografisë ‘Instituti Albanologjik 1953-1955’ të dr. Nuridin Ahmetit, në kuadër të aktiviteteve të Panairit Ndërkombëtar të librit Akademik dhe shkencor në Tiranë, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, mbajtur në Tiranë, më 23 prill 2022, me dy kumtesa.
Pjesëmarrja e Institutit Albanologjik në Panairin Ndërkombëtar të librit Akademik dhe shkencor në Tiranë, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, mbajtur në Tiranë, 22- 24 prill 2022.
Përurimi veprimtarisë botuese të Institutit Albanologjik për vitin 2021, mbajtur më 6 qershor 2022, fjala e sekretarit shkencor.
Panairi i Botimeve Albanologjike, edicioni i parë, organizuar nga Instituti Albanologjik, Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, më 4 dhe 5 tetor 2022, në ambientet e Institutit Albanologjik kanë organizuar Panairin e Botimeve Albanologjike, tri fjalë rasti të drejtuesve të institucioneve pjesëmarrëse.
Përurimi i vëllimit ‘Vjetari i Institutit Albanologjik 2010 – 2020’ përgatitur nga Nuridin Ahmeti, Valon Shkodra dhe Faton Krasniqi, organizuar nga Instituti Albanologjik, në kuadër të Panairit të botimeve albanologjike, mbajtur në Prishtinë, më 4 tetor 2022, me pjesëmarrjen e dy kumtuesve.
Përurimi i tetë numrave të revistës ‘Gjuha shqipe’ 1-3/2020, 1-3/2021 dhe 1-2/2022, organizuar nga Instituti Albanologjik, në kuadër të Panairit të botimeve albanologjike, mbajtur në Prishtinë, më 4 tetor 2022, me pjesëmarrjen e dy kumtuesve.
Përurimi i revistës ‘Gjurmime albanologjike (të tri seritë)’ nr.51, dhe për-mbledhjes së materialeve “Albanologji” nr.11 (dy vëllime), organizuar nga Instituti Albanologjik, në kuadër të Panairit të botimeve albanologjike, mbajtur në Prishtinë, më 4 tetor 2022, ku u paraqit një kumtesë”.
E sa i përket bashkëpunimeve me institucionet e tjera ndërkombëtare dhe vendore, Lajci ka thënë se edhe në 2022-tën ka vazhduar bashkëpunimi.
“Edhe në vitin 2022, Instituti Albanologjik ka vazhduar bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë; me Akademinë e Studimeve Albanologjike; me Institutin e Trashëgimisë Shkencore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup; me Institutin e Historisë ‘Ali Hadri’; me Institutin e Historisë të ASA; me Fakulteti Filozofik – Departamenti i Historisë i Universitetit të Prishtinës; me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë; me Institutin e Hulumtimeve dhe Studimeve Islame. Këtë bashkëpunim e kemi realizuar qoftë përmes projekteve të përbashkëta shkencore, konferencave shkencore, botimeve, përurimeve, shënimit të përvjetorëve etj”.
Ai ka uruar që ky bashkëpunim të thellohet akoma më shumë në të ardhmen.















