Një sulm rus ka goditur të shtunën një urë të dytë kryesore në Kiev, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës kritike në kryeqytetin ukrainas.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se sulmi ka dëmtuar sipërfaqen e rrugës dhe telat ajrorë të trolejbusëve në Urën Veriore.
“Goditje në Urën Veriore. Shërbimet emergjente janë rrugës”, shkroi Klitschko në Telegram.
Ai njoftoi gjithashtu se qarkullimi në urë, nga bregu i majtë drejt atij të djathtë të Dnipros, është aktualisht i bllokuar.
Sulmi i fundit vjen pasi Ura Jugore e Kievit është shënjestruar disa herë nga dronët rusë që nga e enjtja. Klitschko kishte paralajmëruar më herët se sulmet e tilla po “e copëtonin Kievin”.
Dy urat lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit ukrainas dhe, deri të enjten, nuk ishin goditur më parë. Sulmet e njëpasnjëshme ndaj tyre sinjalizojnë një intensifikim të ri të goditjeve ruse ndaj infrastrukturës së Kievit.
Sulmet e mëparshme ndaj Urës Jugore bënë që Këshilli i Mbrojtjes së Kievit të zhvillonte një takim urgjent të premten për të diskutuar situatën.