Si është e mundur që njerëz të dyshuar për lidhje me shërbime të huaja të kenë pasur hapësirë të veprojnë kaq gjatë në Kosovë, madje duke qenë pjesë e institucioneve dhe jetës publike? Sa spiunë të tjerë ka Serbia në Kosovë? Arrestimet dhe aktakuzat e fundit duhet të shërbejnë si alarm për institucionet dhe shoqërinë.
Imer Mushkolaj
Rastet e arrestimeve, aktakuzave dhe dënimeve ndaj personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet serbe të inteligjencës duhet të bëjnë që institucionet dhe shoqëria të mendojnë seriozisht jo vetëm për individët që janë zbuluar si spiunë, por mbi të gjitha për sistemin që ua ka mundësuar disave prej tyre të jetojnë për vite me radhë të lirë, të kenë qasje në institucione, media e jetën publike, e në raste të caktuara edhe në struktura shtetërore. Ky është paradoksi më i madh.
Një shtet i ri, i cili e ka përjetuar luftën dhe më pas ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, nuk mund ta trajtojë kundërzbulimin si një çështje dytësore. Përkundrazi. Për Kosovën, kundërzbulimi është pjesë e mbijetesës së shtetit. Nëse një person i lidhur me një shërbim të huaj arrin të depërtojë në një institucion, të krijojë rrjet kontaktesh, të fitojë besim dhe të marrë informacione, dëmi nuk matet vetëm me informacionin që ai mund të ketë përcjellë. Dëmi është shumë më i madh, duke krijuar një dritare përmes së cilës një shtet tjetër mund ta shohë nga brenda mënyrën se si funksionon Kosova. Serbia ka interes të madh për këtë.
Beogradi nuk ka hequr dorë nga synimi për ta mbajtur Kosovën nën presion politik dhe të sigurisë. Për këtë arsye, aktiviteti i strukturave të inteligjencës serbe nuk mund të shihet vetëm nëpërmjet modelit klasik të spiunazhit. Sot informacioni mund të përdoret për ndikim politik, shantazh, propagandë, destabilizim, manipulim të opinionit publik apo për të identifikuar dobësitë e institucioneve.
Rasti i fundit i aktakuzës ndaj Fatmir Sheholli, të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon për spiunazh dhe shantazh dhe pretendon se ishte rekrutuar nga BIA serbe, është vetëm një shembull se sa e ndërlikuar mund të jetë kjo çështje. Në këtë rast, pyetja më e rëndësishme është: si është e mundur që njerëz të dyshuar për lidhje me shërbime të huaja të kenë pasur hapësirë të veprojnë kaq gjatë? Kjo çështje bëhet edhe më serioze kur sillet ndërmend se ka pasur raste që persona të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë kanë qenë pjesë e institucioneve ose kanë pasur qasje në rrethe ku informacioni është i rëndësishëm. Ta zëmë, një ish-zyrtar i Policisë së Kosovës është dënuar për spiunazh. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm se sa agjentë mund të jenë zbuluar. Problemi është se sa mund të mos jenë zbuluar.
Askush nuk mund ta dijë sot se sa persona të tjerë mund të kenë lidhje të fshehta me shërbime të huaja. Çdo numër do të ishte spekulim, andaj duhet bërë dallimin ndërmjet alarmit të arsyeshëm dhe paranojës.
* * *
Kosova nuk ka nevojë për një shoqëri ku secili dyshohet si spiun, por për institucione që dinë të identifikojnë spiunin nëpërmjet provave. Kjo kërkon forcimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Policisë, Prokurorisë Speciale dhe institucioneve të tjera të sigurisë. Kërkon verifikim shumë më serioz të personave që punojnë në pozita të ndjeshme. Kërkon kontroll të vazhdueshëm të qasjes në informacionet sekrete, e jo vetëm një verifikim formal kur dikush punësohet. Por, kërkon edhe diçka tjetër: profesionalizëm.
Kundërzbulimi nuk mund të jetë armë politike. Nëse çdo kundërshtar politik, gazetar kritik, aktivist apo qytetar që ka mendim ndryshe mund të etiketohet si “agjent i Serbisë”, atëherë lufta kundër spiunazhit shndërrohet në një mjet për ta frikësuar shoqërinë. Kjo do ta dëmtonte Kosovën po aq sa vetë spiunazhi.
Institucionet duhet të punojnë me prova, jo me perceptime. Me hetime, jo me hakmarrje. Me profesionalizëm, jo me propagandë. Në të njëjtën kohë duhet të ketë një rishikim serioz të qasjes së njerëzve në institucionet më të ndjeshme të shtetit. Kush ka qasje në informacione të klasifikuara? Kush mund t’i marrë ato? Kush mund t’i kopjojë? Kush mund t’i përcjellë jashtë institucionit? Kush kontrollon nëse dikush po përdor pozitën e vet për të krijuar kanale komunikimi me një shërbim të huaj?
Këto nuk janë pyetje të një shteti paranojak. Janë pyetje të një shteti normal. Sepse, një shtet nuk është i fortë vetëm kur arreston një agjent. Është i fortë kur e zbulon para se ai të shkaktojë dëm.
Prandaj, arrestimet dhe aktakuzat e fundit duhet të shërbejnë si alarm për institucionet e Kosovës, e jo si arsye për të shpallur armiq të gjithë ata që mendojnë ndryshe.
Serbia përpiqet ta dëmtojë Kosovën nëpërmjet politikës, diplomacisë, propagandës ose strukturave të saj të sigurisë. Por dobësia më e madhe e Kosovës do të ishte nëse këto përpjekje do të gjenin brenda shoqërisë njerëz të gatshëm t’u shërbenin.
Sa spiunë të tjerë ka Serbia në Kosovë? Në institucione. Në politikë. Në biznes. Në media. Në shoqëri. Mund të jenë shumë. Mund të jenë pak. Mund të mos jetë asnjë në disa prej këtyre sektorëve. Por, shteti serioz nuk pret ta marrë vesh pasi të ndodhë dëmi. Shteti serioz ndërton mekanizma që ta zbulojë rrezikun para se ai të bëhet katastrofë. Kosova e ka fituar luftën, e ka shpallur pavarësinë, ka ndërtuar institucione. Por, një shtet nuk mbrohet vetëm në kufi.Mbase kjo është beteja që Kosova ende nuk e ka kuptuar ende sa duhet.