Aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje të mbi 542 mijë eurove nga shitja e narkotikëve
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet V.M., i cili dyshohet për shpëlarje të parave në vlerë prej 542 mijë e 478 euro e 86 centë, të cilat, sipas Prokurorisë, kishin prejardhje nga shitja e paautorizuar e narkotikëve.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, gjatë periudhës 2009–2019, në Kosovë, ka futur në sistemin bankar dhe ka qarkulluar përmes llogarive të tij personale dhe llogarive të subjektit afarist “A.” O.P. gjithsej 542,478.86 euro.
PSRK-ja bën të ditur se V.M. ishte në dijeni se këto mjete financiare vinin nga veprimtaria e tij kriminale e shitjes së paautorizuar të narkotikëve, për të cilën ishte shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë më 28 maj 2024.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i tij ishte fshehja ose maskimi i prejardhjes kriminale të parave dhe paraqitja e tyre si mjete me prejardhje të ligjshme.
Në njoftim thuhet se i pandehuri ka kryer deponime dhe tërheqje të vazhdueshme të parave të gatshme në disa institucione financiare në Kosovë. Këto përfshinin edhe transaksione të përsëritura, ku paratë tërhiqeshin dhe rideponoheshin brenda së njëjtës ditë ose në intervale të shkurtra kohore.
Aktakuza është ngritur për veprën penale “Shpëlarja e parave”.















