Derbi spektakolar mes Arsenalit dhe Cityt përfundon me dy situata kontroverse
Arsenali dhe Manchester Ciry barazuan 2-2 në stadiumin “Emirates” në Londër, në kuadër të xhiros së 12-të të Premier League. Ishte përballja mes skuadrës së parë dhe të dytë në renditjen e kampionatit anglez, të cilat vazhdojnë të ndahen me 6 pikë.
Golashënues për Arsenalin ishin Kai Havertz (40') dhe Jurrien Timber (83'), ndërsa për Cityn shënuan Erling Haaland (34') dhe Enzo Fernandez (48').
Skuadra nga Manchesteri kaloi në epërsi në minutën e 34-t me golin e Erling Haalandit, pas një asistimi fantastik të Josko Gvardiol.
Skuadra e Mikel Artetës barazoi 6 minuta më vonë, kur Kai Havertz shënoi me kokë.
Manchester City riktheu epërsinë në minutën e 48-të përmes Enzo Fernandezit.
Ayyoub Bouaddi e dërgoi topin në zonë, ndërsa mesfushori argjentinas e devijoi atë me majën e këpucës drejt rrjetës për rezultatin 1- 2.
Rezultatin përfundimtar 2-2 e vendosi Timber në minutën e 83.
Eberechi Eze ekzekutoi goditjen nga këndi drejt shtyllës së dytë, ku Timber, me mjaft zgjuarsi, e dërgoi topin në rrjetë.
Megjithatë, ky aksion ishte kontrovers, pasi pati dyshime nëse ishte shkaktuar faull ndaj portierit Gianluigi Donnarumma , por në fund goli u konfirmua.
Një tjetër situatë kontroverse ndodhi në minutat shtesë të pjesës së dytë.
Gvardiol goditi me kokë drejt portës, ndërsa Viktor Gyökeres e ndali topin me dorë në rrugën drejt rrjetës.
VAR-i e shqyrtoi edhe këtë rast, por sipas gjykimit të tij, dora e sulmuesit ishte në pozitë natyrale gjatë kërcimit.
Arsenali kryeson renditjen me 29 pikë, 6 më shumë se Manchester City i vendit të dytë.















