Drejtoresha e QPS-së në Pejë: S’kemi bërë kërkesë për shtim të stafit, me Arlindën nuk jam takuar asnjëherë
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Shpresa Lukaj, ka deklaruar se rasti i Arlinda Zekajt ishte monitoruar vazhdimisht nga zyrtarët e kësaj qendre dhe se nuk kishte pasur vërejtje për neglizhencë në trajtimin e tij.
Duke raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, Lukaj u pyet nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, nëse kishte pasur indikacione për mungesë të monitorimit të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës.
“Nuk e mendoj që ka pasur. Ka qenë menaxherja e rastit, ka pasur monitorime të vazhdueshme. Nuk kam pasur asnjë vërejtje që ka pasur neglizhencë në trajtimin dhe menaxhimin e rastit”, u shpreh Lukaj.
Megjithatë, gjatë raportimit, Lukaj pranoi se QPS-ja në Pejë përballet me mungesë të stafit dhe ngarkesë të madhe pune, ndërsa tha se do të kërkohet shtimi i numrit të punëtorëve socialë.
Ajo u pyet nga Kica-Xhelili nëse institucioni kishte bërë më herët kërkesë zyrtare për shtimin e stafit.
“Faktikisht nuk kanë bërë kërkesë”, deklaroi Lukaj.
Ajo sqaroi se ishte hapur konkurs për një psikologe, por ai ishte anuluar pas një ankese nga pjesëmarrësit në konkurs.
Lukaj bëri të ditur se QPS-ja kishte rreth shtatë zyrtarë socialë dhe se, pas të gjeturave dhe rekomandimeve të evidentuara, do t'u drejtohen sërish institucioneve për shtimin e stafit.
Sipas saj, në Qendrën për Punë Sociale në Pejë janë rreth 70 raste aktive të dhunës në familje.
Lukaj ka deklaruar se nuk është takuar asnjëherë personalisht me Arlinda Zekajn, ndërsa ka thënë se takimet me të i kanë zhvilluar menaxherja e rastit dhe udhëheqësi i shërbimeve sociale.
“Ajo iu është drejtuar drejtoreshës së drejtoratit, për shkak se e ka njohur, e kishte bashkëvendase. Përmes avokates e kemi pasur një ankesë nga Arlinda për zyrtarin që ka marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës dhe ajo ka menduar se iu ka bërë trajtim i njëanshëm. E kemi pa të paarsyeshme atë ankesë, sepse ka qenë e pabazë”, ka deklaruar Lukaj.
Sipas Lukajt, rasti i Arlinda Zekajt në QPS është raportuar për herë të parë më 10 korrik.
“Sa i përket këtij rasti, fillimisht e ka lajmëruar zyrtari që ka qenë kujdestar dhe ka qenë në polici për rastin e dhunës. Kjo ka ndodhur më 10 korrik”, ka deklaruar mes tjerash Lukaj.















