Përmes një letre publike drejtuar Kryeministrit dhe Kryesuesit të Komitetit Organizativ, e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Besim Aliti, KOK-u ka bërë të ditur se anulimi i takimit të planifikuar në Athinë me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka rënduar skajshmërisht situatën. Sipas KOK-ut, ky dështim diplomatik e institucional erdhi si pasojë e mungesës së delegimit me kohë të përfaqësuesve institucionalë.

Data kritike për fatin e Lojërave është 19 dhjetori 2026, kur Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së do të mblidhet dhe do të shqyrtojë zyrtarisht ndërprerjen e së drejtës së organizimit nga Kosova.

Në dokumentin e publikuar, KOK-u vë në pah se një ndër pengesat kryesore mbetet mospërmbushja e obligimeve financiare ndaj ICMG-së, për të cilat fatura është dërguar qysh në qershor të vitit 2026.

Këto obligime burojnë nga amendamentet e nënshkruara në dhjetor 2025 me pajtimin e të tri palëve (KOK-ut, Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës), dhe janë të reflektuara në Buxhetin Operativ prej 253 milionë eurosh.

Njëherësh, KOK-u ka shprehur shqetësim të thellë për referencat e bëra në mbledhjen e fundit të Qeverisë lidhur me pretendimet për korrupsion në kuadër të këtij projekti. Komiteti ka garantuar se nuk ka pasur parregullsi dhe ka vënë në dispozicion kapacitetet e tij për të sqaruar çdo dyshim, duke paralajmëruar se këto përplasje po e çojnë projektin drejt greminës.

“Nuk duhet të lejojmë që dyshimet e paqarta, dezinformimet dhe këshillat e gabuara, mungesa e transparencës apo moskoordinimi institucional të dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e këtij projekti“, thuhet në reagim.

Duke vlerësuar se ndërhyrja personale e Kryeministrit është e domosdoshme për të zhbllokuar proceset dhe për të bashkuar institucionet, KOK-u ka kërkuar një takim urgjent të KOLM-it para mbledhjes vendimtare të 19 dhjetorit.

“Humbja e Lojërave Mesdhetare do të ishte një humbje e madhe për sportin, zhvillimin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo është një mundësi historike që nuk duhet ta humbasim për shkak të mungesës së koordinimit, vendimmarrjes apo vullnetit institucional“, përfundon letra e Komitetit