Komisioni miraton raportin për Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, nuk kalon amendamenti i Grudës
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar raportin me amendamente për Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, ndërsa nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme amendamenti i deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, lidhur me përbërjen e Këshillit Drejtues të këtij institucioni.
Gjatë shqyrtimit të raportit, anëtarët e komisionit kanë diskutuar kryesisht për përfshirjen e ministrit në Këshillin Drejtues të Akademisë, çështje për të cilën janë shprehur qëndrime të ndryshme.
Anëtarja e komisionit nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili, ka prezantuar shqetësimet e saj lidhur me këtë çështje, duke thënë se mospajtimi kryesor ka të bëjë me konceptin e pavarësisë së Akademisë së Drejtësisë.
“Ka qenë një pjesë e shqetësimeve pak më sipërfaqësore që janë pranuar, një pjesë tjetër e natyrës si në raste të tjera nuk janë pranuar, por çështja kryesore që ka mbetur pa zgjidhur, ka qenë largimi i ministrit të Drejtësisë nga Këshilli Drejtues. Më lejoni t’ju tregoj që këtu nuk kemi vetëm dallim për numrin e anëtarëve, këtu kemi, do të thotë, dy koncepte të ndryshme për pavarësinë e Akademisë dhe mënyrën se si ne interpretojmë pavarësinë e Akademisë. Njërin që e largon ministrin dhe e zëvendëson qoftë me një përfaqësues të ministrit që nuk është emërim politik, por mund të delegohet nga ministri i Drejtësisë, me kusht që nuk është emërim politik, dhe interpretimi tjetër që nuk konsideron politizim të Akademisë së Drejtësisë në qoftë se mbetet ministri. Argumenti insistues i sponsorizuesit ka qenë që në të kaluarën, disi nuk është përfillur mjaftueshëm përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, rrjedhimisht duhet ta ngrisim nivelin e përfaqësimit tek ministri. Diskutimi ka qenë që nuk mund të mjaftojë një, të themi, ndjesi e një përfaqësuesi të Ministrisë së Drejtësisë rreth përfilljes apo shpërfilljes së rekomandimeve dhe në këtë mënyrë ta ngrisim në nivelin politik të përfaqësimit. Pra, mundemi me biseduar rreth asaj se kënd ndoshta mundet me deleguar Ministria e Drejtësisë për me përfaqësuar, por ju me shku vetë ministri, sepse fundja kjo është organ i pavarur. Dhe kemi konstatuar që pavarësisht që Akademia nuk është agjenci e pavarur sipas Kushtetutës, megjithatë ekziston një mundësi që kjo normë të jetë jo kushtetuese, përderisa një pjesë tjetër të pavarësisë së këtij organi ne e interpretojmë në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
“Më është lënë një mundësi që të bisedoj prapë me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë. Më lejoni t’ju njoftoj që jam takuar me njërin nga ta, është dhënë një propozim, por pas dy ditësh është tërhequr propozimi i dhënë, rrjedhimisht kemi mbetur këtu ku jemi dhe sponsorizuesi nuk pranon ta tërheqë ministrin nga Këshilli Drejtues. Domethënë kjo ka me mbetur çështja kryesore për të cilën ka pasur shqetësim grupi i punës, tjetër çka s’kam çka me shtuar”, ka deklaruar Kica-Xhelili.
Ndërkaq, anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë qenë të gatshëm të shqyrtojnë opsione të ndryshme për përbërjen e Këshillit Drejtues.
Ai ka përmendur edhe një propozim kompromisi, sipas të cilit në Këshillin Drejtues do të përfshihej një profesor universitar i emëruar nga ministri, ndërsa gjatë dy viteve të para do të ishte përfaqësuesi i ministrit.
“Është e vërtetë që përfaqësues të ministrisë janë ofruar të gatshëm për të rishikuar opsione të ndryshme. Është diskutuar edhe ky solucioni që të jetë një profesor universitar me një procedurë tjetër të nominimit nga odat dhe nga fakultetet juridike dhe në fund të vendoset nga ministria. Dhe është e vërtetë që ka ardhur si një lloj kompromisi versioni i fundit që përbërja të jetë si e tillë, të jetë një profesor universitar i emëruar nga ministri, megjithatë tek dispozitat kalimtare dy vitet e para të jetë përfaqësues ministri. Shkurt po ju them një gjë. Pa e zgjatur. E para, në Këshillin Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë ka pasur përfaqësues edhe më parë, por ka pasur përfaqësues në nivel të shërbyesve civilë, domethënë drejtori i departamentit ligjor të Ministrisë së Drejtësisë e ka përfaqësuar Ministrinë e Drejtësisë, domethënë edhe deri më tani. E dyta është që po flasim për një organ që, siç është Këshilli Drejtues, që duhet me pa të paktën edhe në përbërjen e plotë që përbëhet nga përfaqësues të gjyqësorit, nga përfaqësues të prokurorisë dhe që një ndërlidhje me politikëbërësit, le të themi në rastin konkret është Ministria e Drejtësisë, tek vetë ministri ose profesori në rastin konkret.Duhet me pa dhe në rrafshin e kompetencave, domethënë, dhe mbi të gjitha të funksionit”, ka deklaruar Rrustemi.
“Akademia e Drejtësisë në fund të fundit është një institucion që ka për qëllim me ngritur nivelin profesional të gjyqtarëve dhe të prokurorëve si një lloj edukimi, le të themi, shtesë e i vazhdueshëm jashtë edukimit të përgjithshëm formal. Një mekanizëm tepër i rëndësishëm për bindjen time, edhe marrë parasysh një nga dobësitë thelbësore të sistemit të drejtësisë që është kompetenca profesionale. Prandaj tash këtu ka argumente pro e kundër, por veç desha me prezantuar dhe ishin një nga votat, një nga votat të një trupe të gjerë me kompetenca konkrete, domethënë, nuk është që nuk mendojmë që përbën, le të themi, ndërhyrje në sistem, se në fund të fundit të flet për program të edukimit”, ka thënë Rrustemi.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka prezantuar amendamentin e tij, përmes të cilit ka kërkuar që ministri i Drejtësisë të mos jetë pjesë e Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë.
Gruda ka thënë se përfshirja e ministrit në një organ të tillë bie ndesh me parimet e pavarësisë dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Këtu, me këtë ligj, akademia bëhet një agjenci e pavarur. Në agjencinë e pavarur, në bordin e, në Këshillin e saj drejtues merr pjesë ministri. Kjo s’ka kuptim. Është kundërkushtetuese. Venecia ka thënë po ashtu, nuk mundet ministri me marrë pjesë në bordin e një agjencie, në Këshillin, quhet këtu, të një agjencie të pavarur. Unë amendamentin e kam bërë, edhe e kam arsyetuar, e kam cituar Komisionin e Venecias. Edhe jemi duke e lexuar herë të tjera, do me i mu, që kam dorëzuar tash, çfarë kam shkruar në arsyetim. Domethënë, Venecia ka thënë, kjo është një agjenci e pavarur, shumë mirë e keni bërë, e keni larguar prej pushtetit politik, po nuk mundeni kur e largoni pushtetin politik, tani me e çuar ministrin aty me drejtuar. Me e çuar tani një shërbyes civil, është shërbyes civil. Shërbyesi civil nuk është politik. Po, nëse e çon anëtar kabineti, ministër, po edhe të emëruarin e ministrit, pa bërë gabim. Edhe kur ta çon një profesor, ministri është i emëruar prej ministrit, është i emëruar politik ai. Se emërohet prej një organi politik. Kështu që unë mendoj që ne jemi duke hyrë në jo-kushtetuese, ndesh me ato që ka thënë Komisioni i Venecias. Unë s’po e di pse po insistoni, unë e kisha, mendoj që s’keni pse me insistuar me e pasur ministrin aty kur vetë i keni lypur opinion Venecias, Venecia ju ka thënë dhe s’e keni respektuar. Që kjo është përmbajtja e amendamentit që kam paraqitur”, ka deklaruar Gruda.
Pavarësisht shqetësimeve dhe kundërshtimeve të ngritura gjatë mbledhjes, amendamenti i deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, nuk u miratua, ndërsa komisioni miratoi raportin me amendamente për Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë./eo















