“Liza” dhe “Rrumqi” dënohen me nga 18 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga 18 vjet burgim Ilir Abdullahun, i njohur si “Liza”, dhe Rrahim Abdullahun, i njohur si “Rrumqi”, për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të zyrtarit policor Triumf Riza, në vitin 2007.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga 18 vjet burgim Ilir Abdullahun, të njohur si “Liza”, dhe Rrahim Abdullahun, “Rrumqi”, për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të zyrtarit policor Triumf Riza, në vitin 2007.
Aktgjykimi u shpall të premten nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Avni Syla. Ilir Abdullahut do t’i llogaritet në dënim koha e kaluar në paraburgim, ndërsa Rrahim Abdullahut i vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Palët kanë të drejtë ankese.
Prokurorja Arbreshë Shala kishte kërkuar shpalljen fajtorë të të dyve, duke argumentuar se provat dhe dëshmitë mbështesnin përgjegjësinë e tyre për përcjelljen e Rizës, vëzhgimin e lëvizjeve dhe komunikimin për vendndodhjen e tij.
Mbrojtja kishte kërkuar lirimin e të akuzuarve, duke kontestuar provat telefonike, hetimet dhe mungesën e dëshmive për përfshirje konkrete në vrasje. Të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës, vrasja lidhej me konfliktin e Enver Sekiraqës me Triumf Rizën. Prokuroria pretendonte se të akuzuarit kishin përcjellë lëvizjet e Rizës dhe se Arben Berisha, më 30 gusht 2007, kishte shtënë 11 herë ndaj tij, duke e vrarë pranë veturës.
Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitjen e vrasjes, ishte dënuar me 25 vjet burgim më 3 maj 2024, por ndodhet në arrati. Ilir Abdullahu ishte arrestuar më 16 korrik 2023, pas vitesh në kërkim.















