Marrëveshje strategjike mes Francës dhe Malajzisë, synohet ulja e varësisë nga Kina
Marrëveshja synon diversifikimin e burimeve të furnizimit me minerale strategjike dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Parisit dhe Kuala Lumpurit.
Franca dhe Malajzia kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim në sektorin e mineraleve të rralla, në kuadër të përpjekjeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, për të reduktuar varësinë nga Kina në furnizimin me këto lëndë të para strategjike, raporton euronews.
Marrëveshja u bë e ditur gjatë vizitës së Macronit në Kuala Lumpur, ku ai zhvilloi takim me kryeministrin malajzian, Anwar Ibrahim. Të dy liderët diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e partneritetit në sektorë me rëndësi strategjike.
Një nga projektet kryesore përfshin bashkëpunimin mes kompanisë franceze Carester dhe kompanisë malajziane Malaco Mining, për nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve të rralla në shtetin Perak të Malajzisë.
Impianti i planifikuar për përpunimin e këtyre mineraleve pritet të ketë kapacitet prej rreth 13 mijë tonësh në vit, ndërsa nisja e punës parashihet në fillim të vitit 2027.
Marrëveshja parashikon gjithashtu mundësinë e eksportimit të një pjese të mineraleve të papërpunuara nga Malajzia drejt Francës, ndërsa pala franceze do të kontribuojë me teknologji dhe ekspertizë në procesin e përpunimit.
Presidenti Macron e ka cilësuar këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të furnizimeve të qëndrueshme për industrinë franceze dhe forcimit të pavarësisë ekonomike të vendit.
Mineralet e rralla kanë rëndësi të veçantë për ekonominë moderne, pasi përdoren në prodhimin e automjeteve elektrike, telefonave inteligjentë, turbinave me erë dhe pajisjeve të teknologjisë së avancuar, përfshirë edhe industrinë e mbrojtjes.















