Trump mbërrin në Filipine për bisedimet e QUAD-it para vizitës në Kinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka mbërritur të martën në Filipine, në përfundim të samitit të vendeve të Azisë Juglindore, ku është pritur nga protesta kundër politikave të tij.
Vizita e Trumpit në Azi përfshin pjesëmarrjen në forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet në Shenzhen të Kinës, si dhe një takim të shumëpritur trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin.
Kjo vizitë zhvillohet pas humbjes së Partisë Republikane në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, si dhe në një kohë tensionesh mes Uashingtonit dhe Pekinit, për shkak të akuzave për spiunazh dhe kufizimeve të reja amerikane për qasjen e Kinës në çipat e avancuar të inteligjencës artificiale. Këto zhvillime mund të ndikojnë në marrëveshjen e brishtë për armëpushimin tregtar mes dy vendeve.
Ndërkohë, në Manila, demonstratat kundër Trumpit kanë hyrë në ditën e pestë. Protestuesit kanë djegur figura të presidentit amerikan, kanë kërkuar përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme dhe kanë kundërshtuar nismën amerikane Pax Silica për zinxhirët e furnizimit, raporton Reuters.
Pas mbërritjes në Filipine, Trump pritet të marrë pjesë në një samit të posaçëm SHBA-ASEAN, ndërsa fillimisht do të zhvillojë takimin e grupit QUAD, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Australia dhe India.
Ky do të jetë takimi i parë i këtij grupi pas dy vjetësh dhe i pari gjatë mandatit të dytë të Trumpit. Ish-presidenti amerikan Joe Biden e kishte konsideruar QUAD-in një nga nismat kryesore të politikës së tij të jashtme.
Takimi zhvillohet përpara forumit APEC në Kinë. Presidenti kinez Xi Jinping ka shprehur më herët kundërshtimin e tij ndaj këtij grupimi, duke e parë atë si një përpjekje për ta rrethuar Kinën. Megjithatë, vendet anëtare të QUAD-it kanë deklaruar se bashkëpunimi i tyre nuk është i drejtuar kundër asnjë shteti të caktuar.
Takimi i QUAD-it, sinjal përpara bisedimeve trepalëshe
Gjatë samitit të ASEAN-it të hënën, kryeministri kinez Li Qiang vlerësoi atë që e quajti arritje të jashtëzakonshme ekonomike të Kinës dhe vendeve të ASEAN-it, pavarësisht kufizimeve tregtare në nivel global.
Ai shprehu përkushtimin e Pekinit ndaj tregtisë së lirë dhe bëri thirrje që vendet të qëndrojnë të bashkuara dhe të bashkëpunojnë.
Kina është partneri më i madh tregtar i ASEAN-it dhe një burim i rëndësishëm investimesh për këtë rajon. Megjithatë, ekonomitë më të mëdha të bllokut, i cili përbëhet nga 11 shtete dhe ka një prodhim të brendshëm bruto të përbashkët prej më shumë se 3.9 trilionë dollarësh, synojnë të thellojnë marrëdhëniet me SHBA-në, pavarësisht pasigurisë tregtare dhe diplomatike gjatë administratës Trump.
Ish-zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, vlerësoi rolin e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në organizimin e takimit të QUAD-it, duke thënë se ky grupim kishte humbur ambicien gjatë administratës Trump.
Sipas Campbellit, takimi i QUAD-it përbën sinjalin më të mirë të mundshëm përpara takimit trepalësh mes liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, i paraparë të mbahet të enjten.














