Roboti me 53 gishta befason publikun, interpreton Chopin së bashku me pianist-in Roberto Prosseda
Roboti TeoTronico dhe pianisti italian Roberto Prosseda u përballën në një koncert të veçantë në Itali, duke vënë përballë saktësinë teknologjike dhe emocionin njerëzor në muzikë.
Një koncert i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Itali, ku një robot pianist me 53 gishta është ngjitur në skenë përballë pianistit të njohur Roberto Prosseda.
Roboti, i quajtur TeoTronico, dhe muzikanti italian interpretuan vepra të kompozitorit të njohur Frédéric Chopin, fillimisht duke luajtur me radhë dhe më pas së bashku.
Performanca u zhvillua më 12 nëntor në qytetin Prato të Toskanës.
TeoTronico është projektuar nga inxhinieri italian Matteo Suzzi dhe është në gjendje të luajë në piano përmes udhëzimeve kompjuterike, duke riprodhuar me saktësi notat muzikore. Roboti tashmë ka edhe aftësi komunikimi përmes inteligjencës artificiale.
Megjithatë, për Roberto Prossedan, muzika nuk është vetëm çështje saktësie teknike. Pianisti theksoi rëndësinë e emocioneve, interpretimit dhe lidhjes njerëzore që krijohet përmes muzikës.
Përveç Chopin, në program u përfshinë edhe vepra të Mozartit dhe kompozitorëve të tjerë klasikë.
Ky bashkëpunim ngre një pyetje interesante për të ardhmen e artit: a mundet teknologjia të zëvendësojë emocionin dhe kreativitetin njerëzor.















