Në një intervistë për “RSI Sport”, futbollisti shqiptar ka kujtuar atmosferën e tensionuar të asaj përballjeje, duke theksuar se kishte pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes.

“Ka pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes. Në fund, për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik”, deklaroi Shaqiri.

Ai theksoi se gjesti ishte rezultat i emocioneve të shumta dhe se mediat i dhanë një vëmendje të tepruar ngjarjes.

Shaqiri foli edhe për reagimet në Zvicër, duke thënë se shumë tifozë nuk e kishin kuptuar historinë që qëndronte pas simbolit të shqiponjës.

“Shumë zviceranë nuk e kuptuan dhe nuk e njihnin historinë që qëndronte pas këtij veprimi, arsyen pse unë, Graniti dhe Stephani e bëmë atë gjest. Besoj se kishte shumë emocione të përfshira. Mendoj se sot ky veprim nuk do të konsiderohej aq i rëndë”, u shpreh ai.

Shaqiri dhe Xhaka kishin festuar me simbolin e shqiponjës pas golave të shënuar kundër Serbisë në Botërorin e Rusisë, në vitin 2018.