Një studim i ri ndërkombëtar ka sjellë shpresë në trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit. Ilaçi eksperimental AR1001, i zhvilluar nga kompania koreano-jugore AriBio, ka treguar se mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes.

Në provën klinike të fazës së tretë, ku morën pjesë 1,535 persona nga 13 vende, ilaçi ngadalësoi rënien e aftësive njohëse me 31 për qind gjatë një viti, në grupin prej 604 pacientësh që nuk merrnin barna të tjera për Alzheimerin.

AD PLACEHOLDER

AR1001 i përket së njëjtës familje barnash si Viagra dhe vepron duke ndikuar në zgjerimin e enëve të gjakut dhe qarkullimin e gjakut, përfshirë atë në tru.

Megjithatë, rezultatet nuk ishin të njëjta për të gjithë pjesëmarrësit.

Në analizën e përgjithshme të studimit, përfshirë personat që merrnin trajtime të tjera për Alzheimerin, nuk u arrit të dëshmohej një përfitim statistikisht domethënës.

Studiuesit i konsiderojnë rezultatet premtuese, por theksojnë se nevojiten analiza të mëtejshme për të kuptuar efektet afatgjata dhe për të përcaktuar nëse ilaçi mund të miratohet për përdorim.

AR1001 ende nuk është i disponueshëm për publikun dhe nuk duhet ngatërruar me Viagrën.

Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i Viagrës për trajtimin e Alzheimerit nuk rekomandohet.