Tragjedi në Gjermani, ndërron jetë në moshën 24-vjeçare futbollisti Enis Maqedonci
Një lajm i rëndë ka tronditur komunitetin e futbollit kosovar. Futbollisti Enis Maqedonci ka ndërruar jetë në moshën 24-vjeçare, si pasojë e një aksidenti trafiku në Gjermani.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Maqedonci, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën futbollistin e ri.
Maqedonci ishte pjesë e klubit gjerman TuS Hügelsheim, ku vazhdonte karrierën e tij futbollistike.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, FFK-ja ka shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të 24-vjeçarit.
“Pusho në paqe, Enis!”, thuhet në mesazhin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta është një humbje e rëndë për familjen, miqtë dhe komunitetin sportiv.
Enis Maqedonci do të kujtohet nga ata që e njohën dhe ndanë me të pasionin për futbollin.















