Tri protesta sot në Prishtinë, në rrugë organizatat për mbrojtjen e fëmijëve, punëtorët e KEK-ut dhe studentët
Sot në Kosovë do të mbahen tri protesta, ku organizatat për mbrojtjen e fëmijëve, punëtorë dhe studentë do të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre lidhur me çështje të ndryshme.
Protesta e parë do të mbahet nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), i cili ka 35 organizata anëtare, dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, me 108 organizata anëtare. Protesta do të nisë në orën 10:00, në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, dhe do të zgjasë deri në orën 11:00.
Organizatat kërkojnë rritjen e buxhetit për shërbimet sociale, duke kundërshtuar ndarjet aktuale buxhetore, të cilat, sipas tyre, nuk reflektojnë nevojat reale të këtij sektori. Kërkesa e tyre u drejtohet 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me qëllim të sigurimit të financimit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet sociale në kuadër të Buxhetit për vitin 2027.
Protesta e dytë është organizuar nga Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila do të mbahet në orën 11:00, para Drejtorisë së KEK-ut, në objektin Toskan, në Prishtinë.
Punëtorët kërkojnë rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe pagesën e pagës së 13-të. Përmes protestës, ata thonë se po kërkojnë dinjitet, vlerësim dhe paga të drejta për punën dhe sakrificën e tyre.
Në thirrjen për protestë, sindikata ka ngritur edhe shqetësimin për sëmundjet profesionale me të cilat, sipas saj, përballen një pjesë e punëtorëve, për të cilat dyshohet se kanë lidhje me kushtet dhe vendet e punës.
Ndërkaq, protesta e tretë do të mbahet nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, në orën 11:30, para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.
Studentët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë pas një kërcënimi që, sipas Parlamentit Studentor, është pranuar përmes emailit nga ana e rektorit.
Ata e konsiderojnë të papranueshme çdo formë kërcënimi dhe presioni, duke vlerësuar se këto veprime cenojnë sigurinë, lirinë e shprehjes dhe mjedisin e lirë akademik.
Përmes protestës, studentët synojnë të shprehin kundërshtimin ndaj kërcënimeve dhe të kërkojnë që Universiteti i Prishtinës të mbetet hapësirë e sigurisë, lirisë dhe demokracisë.















