Arrestohen edhe vjehrra e kunati i Arlinda Zekajt, dështon seanca fillesare ndaj ish-burrit të saj
Pothuajse e tërë familja Sylaj ndodhet në pranga për shkak të vrasjes së Arlinda Zekajt. Në ditën kur Jeton Sylaj do të dilte para Gjykatës në Pejë në seancën fillestare, u arrestuan edhe katër persona të tjerë, dy prej të cilëve familjarë të ngushtë të tij. Seanca u ndërpre për shkak të një kërkese të avokatit te familjes.
Listës së personave të arrestuar që dyshohen për lidhje në vrasjen e Arlinda Zekajt i janë shtuar edhe katër të tjerë.
Përveç ish-kunatit Albert Sylajt si i dyshuar kryesor që kreu vrasjen, tashmë në ndalim janë edhe ish-vjehrra e saj, Nurije Sulaj si dhe ish-kunati tjetër, Driton Sylaj.
Të dy, po hetohen për “ndihmë në kryerjen e vepreës penale ‘vrasje e rëndë’.
Dy të arrestuarit tjerë, që sipas Sinjalit janë Gëzim Bobi dhe Metë Pepaj, dyshohen se i kanë ndihmuar Albert Sylajt pasi e ka kryer vrasjen.
“Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N.S., dhe D.S., dyshohen për kryerjen e veprës penale ’‘Ndihma në kryerjen e veprës penale ‘’Vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3, 1.4, dhe 1.8 lidhur me nenin 33 të KPRK-së , ndërsa dy personat e tjerë me inicialet M.P. dhe G.B. dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale'' nga neni 380 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohet. Në kuadër të procedurës penale, Prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.”
Lidhur me arrestimet e reja avokati Berisha tha se vrasja e Arlindës ishte plan i gjatë.
“Lidhur me arrestimin e katër personave të tjerë lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si avokat kam adresuar disa kërkesa dhe në mesin e tyre është që të merren veprime edhe të këtij spektri, të arrestohen edhe persona që kanë ndihmuar në vrasjen e saj dhe vrasësin makabër, pra që të merren persona në përgjegjësi edhe ata të familjes, ndër ta edhe vëllai i ish-bashkëshortit dhe nëna e tij. Ky rezultat për ne nuk është rastësi”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë që në Gjykatën Themelore në Pejë, këtë të martë u soll ish-burri i Arlindës, Jeton Sylaj i akuzuar për kanosje sa e ndjera ishte gjallë.
Por, seanca fillestare ndaj tij dështoi edhe njëherë, meqë avokati i familjes së Arlindës do paraqes një ankesë.
“Arsyeja e mos mbajtjes së seancës lidhet me një kërkesë timen pas pranimit të aktakuzës, ku e kam vërejtur një lëshim skandaloz të prokurorit që e ka shkruar aktakuzën, duke mos e cilësuar tani të ndjerën si viktimë të ndjeshme dhe duke dhënë beneficione që nuk i jep ligji e as praktika gjyqësore, si ish-bashkëshortit të saj të akuzuar për kanosje të rëndë.Unë kam kërkuar që ta tërheqin aktakuzën, ta vlerësojnë ligjshmërinë e saj, i bindur që është gabim, që është lëshim dhe se kjo ka ndodhur për shkak të panikut për të dorëzuar diçka pa e analizuar siç duhet”, u shpreh Berisha.
Pas ndërprerjes së seancës nuk kanë dashur të flasin prokurori i rastit e as avokatja e Jeton Sylajt.
Arlinda Zekajt u vra më 25 tetor të këtij viti, nga ish-kunati i saj, pasi ishte kthyer nga stacioni policor i Pejës, ku e kishte raportuar ish-burrin e saj për shkelje të urdhrit mbrojtës, e i cili ishte ndaluar për 48 orë.
49 vjecarja pak ditë më parë kishte alarmuar të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për rrezikun që i kanosej nga familja e ish-burrit.















