Zelensky: Putini është vrasës, jo mik siç e quan Trumpi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar presidentin rus, Vladimir Putin, si “vrasës”, duke reaguar ndaj deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, i cili gjatë vizitës në Kinë e kishte quajtur liderin rus “mikun tim”.
Në një intervistë për CNN, Zelensky tha se është në dorën e Trumpit se si dëshiron ta quajë Putinin, por theksoi se për Ukrainën ai mbetet armik dhe vrasës.
“Për ne, ai është armik... për ne, ai është vrasës”, deklaroi Zelensky.
Trump, gjatë takimit historik trepalësh me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe Putinin, të enjten, kishte thënë se me liderin rus ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer për shumë vite.
Të premten, pas sulmeve të reja ruse ndaj Ukrainës, Trump deklaroi se beson që Putini dëshiron t'i japë fund luftës.
“Ata të dy duan t'i japin fund dhe kjo është një gjë shumë e mirë, sepse unë kam marrëdhënie me të”, u shpreh Trump, duke iu referuar Zelenskyt dhe Putinit.
Megjithatë, presidenti amerikan tha se nuk mund të flasë nëse Putini është mik i Shteteve të Bashkuara, por këmbënguli në përshkrimin e tij si mik personal.
Zelensky, nga ana tjetër, tha se trajtimi i Putinit si mik nënkupton se ndaj tij nuk po ushtrohet presion i mjaftueshëm.
“Besoj se, për shumicën e njerëzve në botë, ai është vrasës, sepse po vret çdo ditë dhe çdo natë”, tha presidenti ukrainas.















