Szunyog lavdëron FSK-në për ndihmën që po i jep Turqisë
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, ka lavdëruar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për ndihmën që po i jep Turqisë për të shpëtuar jetë, pas tërmetit shkatërrues që ndodhi më 6 shkurt. Ai ka bërë të ditur se ushtarët e Kosovës deri më tani kanë shpëtuar katër jetë, mes të […]
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, ka lavdëruar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për ndihmën që po i jep Turqisë për të shpëtuar jetë, pas tërmetit shkatërrues që ndodhi më 6 shkurt.
Ai ka bërë të ditur se ushtarët e Kosovës deri më tani kanë shpëtuar katër jetë, mes të cilëve, dy fëmijë.
Szunyog, më tej, ka thënë se është krenar që e sheh Kosovën duke iu bashkuar Bashkimit Evropian (BE) dhe përpjekjeve ndërkombëtare të shpëtimit.
“Dua të përshëndes përpjekjet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Turqi gjatë dhjetë ditëve të fundit. Deri më tani, ata kanë arritur të shpëtojnë katër jetë, duke përfshirë dy fëmijë. Krenar që shoh Kosovën duke iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe përpjekjet ndërkombëtare të shpëtimit”, ka shkruar ai në Twitter.
Gjashtë ditë pas tërmetit tmerrues, Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë nga Shoqata e Kërkim-Shpëtimit janë duke i përballuar temperaturat e ulëta për të nxjerrë trupa nga rrënojat e mijëra ndërtesave të shembura në të gjithë Turqinë jugore.
Hataji mbetet zona më e rëndë në shtetin turk, ku po bëjnë kërkime, përveç Forcës së Sigurisë së Kosovës (FKS), edhe disa pjesëtarë të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, të cilët vullnetarisht kanë udhëtuar nga Kosova në Turqi.
Kujtojmë se, FSK-ja, më 8 shkurt, ka shpëtuar nga rrënojat e tërmetit në Turqi një fëmijë të moshës 2-vjeçare.
Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi i 8 shkurtit, janë duke operuar me kapacitete të plota në Hataj të Turqisë.
Përveç shpëtimit të fëmijës, pak orë më vonë, FSK-ja njoftoi se kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat edhe nënën e fëmijës.
Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, kanë humbur jetën mbi 40 mijë persona.
Mbrëmjen e po kësaj dite, një kontingjent i FSK-së ishte nisur drejt Turqisë për t’i dalë në ndihmë këtij shteti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e shpalli 8 shkurtin ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Ekipe me specialistë nga vende anembanë botës janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi e Siri.















