Të drejtat e komuniteteve jo-shumicë dhe ndërtimi i paqes

Përkushtimi në rrafshin institucional por edhe në nivel të përgjithshëm shoqëror ndaj të drejtave të njeriut, qoftë përmes ndëshkimit të atyre që i shkelin ato, qoftë përmes transparencës në trajtimin e tyre, është një prej aspekteve më të rëndësishme në ndërtimin e paqes. Kohëve të fundit, të drejtat e njeriut kanë marrë një vëmendje të shtuar si parim kryesor i ndërtimit liberal të paqes, një qasje kjo e zbatuar globalisht që nga mesi i viteve 1990. Kjo strategji e ndërtimit të paqes mbështetet në premisën se gjithçka që duhet për të transformuar shoqëritë konfliktuoze është krijimi i institucioneve liberale, si demokracia dhe tregu i lirë, sundimi i ligjit dhe mbi të gjitha, mbrojtja e të drejtave të njeriut. Rrjedhimisht, shembuj nga këto shoqëri tregojnë se të drejtat e njeriut përdoren në mënyrë të gjerë dhe sistematike për ndërtimin e paqes pothuajse kudo. Për shembull, Bosnja dhe Hercegovina (BeH), për shkak të kushtetutës së saj të periudhës pas luftës, është palë në 16 traktate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Nga ana tjetër, Kushtetuta e Kosovës përfshin 8 konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe në kapitullin e saj të tretë parashikon të drejta shtesë për komunitetet jo-shumicë, duke ndërmarrë masa afirmative drejt bashkëjetesës dhe paqes afatgjate.

Institucionet në të gjitha nivelet duhet të fuqizohen për të adresuar shkaqet rrënjësore të pasigurisë, si dhe për të promovuar shoqëri të hapura, të larmishme dhe tolerante që janë të qëndrueshme ndaj krizave të dhunshme dhe konflikteve. Për të arritur këto objektiva, shtetet duhet të kërkojnë këshilla dhe mbështetje praktike për reforma shoqërore, politike dhe legjislative, duke përfshirë funksionalitetin, transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve demokratike, në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit. Përpjekjet për të adresuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, intolerancën dhe diskriminimin, si dhe mungesën e institucioneve të forta demokratike dhe të sundimit të ligjit, duhet të jenë pjesë integrale e rehabilitimit pas konfliktit dhe ndërtimit të paqes.

Aktivitetet duhet të përqendrohen në përmbushjen e nevojave të qytetarëve në çdo kontekst specifik, në mënyrë që paqja të jetë e qëndrueshme. Për të përfshirë shoqëritë e prekura nga konfliktet, është thelbësore të rritet ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e respektit të ndërsjellë, tolerancës ndaj pikëpamjeve të kundërta, gatishmërisë për kompromis dhe përkushtimit ndaj zgjidhjes paqësore të konflikteve. Ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme nënkupton gjithashtu mbështetjen e mekanizmave që nxisin ndërtimin e besimit dhe lidhjeve sociale ndërmjet qytetarëve, veçanërisht në shoqëri të ndara dhe të polarizuara. Sigurimi i qëndrueshmërisë së paqes dhe mbështetja e tranzicioneve janë mënyra për të ndihmuar njerëzit të bashkëjetojnë dhe të përballen me të kaluarën. Këto procese, sikurse çdo veprimtari tjetër për ndërtimin e paqes, duhet të dizajnohen në harmoni me kontekstin e dhënë. Kjo nënkupton që ato duhet të përshtaten me situatën në terren dhe të harmonizohen me proceset ekzistuese apo të planifikuara të paqes.

Respektimi i të drejtave të njeriut ndikon drejtpërdrejt në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në shoqëritë multietnike. Vëmendja e veçantë ndaj të drejtave të grupeve minoritare ndihmon në shpjegimin e kësaj lidhjeje. Të nxitur nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, shtetet e Ballkanit kanë përqafuar një qasje të fuqishme normative për të adresuar të drejtat, nevojat dhe interesat juridike të komuniteteve minoritare, duke u përqendruar kryesisht në tregues sasiorë dhe shpesh duke neglizhuar treguesit cilësorë të përmbushjes dhe respektimit të këtyre të drejtave. Për pasojë, edhe në kushtet e një kornize të mirësistemuar legjislative, të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të grupeve minoritare, vazhdojnë të kërkojnë një nivel më të lartë respektimi sesa ai që aktualisht u ofrohet. Në Kosovë, për shembull, qasja normative ndaj respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut është materializuar përmes zbatimit të drejtpërdrejtë të instrumenteve ndërkombëtare ose përfshirjes së tyre në legjislacionin vendës. Për më tepër, të drejtat e komunitetit serb për të administruar në nivel komunal janë të garantuara në përmasa që i tejkalojnë edhe standardet e përcaktuara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Si e tillë, Kosova shquhet në garantimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, krahasuar me vendet tjera në rajon.

Megjithatë, me përjashtime të rralla, qasja normative ka qenë mjeti kryesor për mbrojtjen e të drejtave themelore të grupeve minoritare në shtetet e Ballkanit. Ndërkohë që shumë prej këtyre shteteve nuk kanë ndërtuar mekanizma efektivë për realizimin e këtyre të drejtave, kjo ka çuar në një status quo që mund të prodhojë konflikte të reja. Një zhvillim i tillë rrezikon të krijojë një efekt domino për shkak të shpërndarjes së komuniteteve etnike përtej kufijve kombëtarë.

Shtetet e Ballkanit janë shoqëri multietnike, prandaj çdo shkelje e rëndësishme e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë mund të ketë pasoja serioze për sigurinë, duke rrezikuar të nxisë konflikte në të gjithë rajonin, siç është dëshmuar disa herë gjatë shekullit XX me pasoja të rënda për njerëzit dhe infrastrukturën. Arritja e një paqeje të qëndrueshme kërkon strategji të përshtatura që respektojnë dinamikat unike etnike dhe kulturore të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit, duke kapërcyer zgjidhjet globale uniforme. Kjo nënkupton ndërgjegjësimin përmes fushatave në nivel komuniteti dhe edukimit qytetar, për të siguruar që grupet minoritare të njohin të drejtat e tyre dhe mekanizmat në dispozicion për realizimin e tyre. Po ashtu, reformimi dhe forcimi i mekanizmave konsultativë, përfshirë fuqizimin e sistemit tradicional dhe njësive nën-komunale me autoritet juridik dhe burime adekuate, është thelbësor për të nxitur një përfshirje kuptimplotë të minoriteteve. Promovimi i një qeverisjeje gjithëpërfshirëse, përmes pjesëmarrjes së drejtë dhe aktive të komuniteteve jo-shumicë në proceset institucionale dhe vendimmarrëse, është gjithashtu jetik për të parandaluar trajtimin preferencial dhe për të inkurajuar angazhimin kolektiv.

Ndërsa në rastin e Serbisë, shihet një qasje ekskluzivisht normative në mbrojtje e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë. Serbia është nënshkruese e disa konvetave ndërkombëtare e që kanë të bëjnë me të drejtat e bashkësive minoritare. Po ashtu,  në kuadër të dispozitave kushtetues (Kushtetuta e vitit  2006) garantohet lirit dhe të drejtatat e  njeriut dhe të pakicave nacionale. Përveç kësaj, në kuadër të parimeve kushtetues janë miratuar edhe ligje të posaçme me të cilat promovohen dhe mbrohen të drejtat e bashkësive jo-shumicë. Pra, në Serbi nuk mungon baza ligjore sa  i përket të drejtave të bashkësive minoritare, por gjithënjë ka hapësirë për avancim në kuptimin pozitivë të pozitës së  pakicave kombëtare.   

Në Serbi njihen rreth 23 pakica nacionale, por fatkeqësisht, jo të gjithë këto pakica kanë të njëjtin trajtim juridik në Serbi. Zbatimi i bazës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve është shndërruar në çështje komplekse për shkak se të njëjtat dispozitat ligjore të cilat garantojn liritë dhe të drejtat e pakicave nuk gjejnë zbatim të barabartë për të gjitha pakicat, posaçërisht për komunitetin shqiptar që jeton në Luginë (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Zbatimi i kësaj baze ligjore në raport me shqiptarët ka degraduar rëndë dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm nga qeveria, faktori ndërkombëtar, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Shqiptarët në Luginë, veçanërisht ata që jetojnë në rajonin e Preshevës, përballen me shkelje drastike të të drejtave të tyre. Fillimisht, përfaqësimi i tyre në institucione shtetërore është i kufizuar, madje edhe në komunat ku ata janë shumicë si popullatë (Enti gjeodezisë, Kryqi i Kuq komunal, Enti pensional, Enti shëndetësor, policia, posta, prokuroria, gjykata, elektrodistribucion, etj.). Pra, në ato institucione që nuk janë nën menaxhimin e komunës, shqiptarët nuk kanë mundësi të përfaqësimit as minimal.

Shkelje evidente janë shënuar edhe në fushën e arsimit në gjuhë kombëtare. Edhe pse ligji garanton arsim në gjuhët e minoriteteve, në praktikë, shqiptarët në Luginë diskriminohen që nga institucionet parashkollore e deri tek niveli universitar. Në nivelin e edukimit parashkollor në Bujanoc, për fëmijët shqiptar të moshës 1-3 vjeç nuk ekzistojnë paralele, siç është rasti me fëmijët serb të së njëjtes moshë. Në nivelin fillor të arsimit, deri në klasën e 8-të, nxënësit shqiptarë përballen me mungesën e teksteve shkollore e shpesh herë janë të detyruar, në kohën e IA, të marrin shënime nga arsimtarët e tyre. Ndërsa nxënsve të shkollave të mesme u mungon tërësisht literatura e nevojshme për ti ndjekur mësimet e tyre. Për më tepër, për nxënsit shqiptar nga Lugina e të cilët kanë ndjekur studimet e tyre në Kosovë, nuk kanë mundësi të punësohen ngase Serbia nuk i pranon diplomat e lëshuar nga Kosova. Rrjedhimisht, është ndikuar fuqishëm në mospërfshirjen e tyre në tregun e punës. Një dukuri e tillë është duke ndodhur edhe me mësues, arsimtarë e profesorë shqiptarë, tash e sa vite, duke mos i licencuar si mësimdhënës.

Nga ana tjetër, pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare shpërfaqen vazhdimisht. Në përjashtim të institucioneve komunale (komunat me shumicë shqiptare), ku mund të evidentohet përdorimi i gjuhës shqipe, në institucionet tjera nuk përdoret gjuha amëtare e popullatës shumicë. Pjesëtarët e komunitetit shqiptar atje vazhdojnë të sanksionohen nga gjykatat e atjeshme për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar me rastin e shënimit të festave kombëtare.  Rrjedhimisht, ruajtja dhe promovimi i identitetit dhe kulturës është bërë sfidë ekzistenciale për shqiptarët e Luginës.

Ndër të tjera, rajonet ku jetojnë shqiptarët e kanë nivelin më të ulët të zhvillimit ekonomik në Serbi duke shënuar mungesë totale të investimeve kapitale. Gjithashtu, transferet financiare nga Ministria e Financave nuk janë rritur që nga viti 2015 e deri më tani. Pra, kjo ka ndikuar që mesatarja e pagave në Luginë të jetë më e ulëta në nivel të Serbisë.

Viteve të fundit, institucionet shtetërore serbe janë duke zhvilluar fushatë në pasivizimin e adresave të shqiptarëve duke i diskriminuar në mënyrë të egër. Si pasojë, një numri të madh të shqiptarëve i është pamundësuar pajisja me dokumente personale me çka u janë mohuar shumë të drejta të garantuara me dispozita ligjore dhe kushtetuese. E tërë kjo është duke u zhvilluar me qëllim të spastrimit etnik duke shfrytëzuar metoda administrative.  

Nga ana tjetër, përkundër të gjitha të drejtave të garantuara të komunitetit serb në Kosovë dhe përpjekjes maksimale për të adresuar nevojat e tyre, politika institucionale serbe është duke i instrumentalizuar ata për nevoja të politikave ditore dhe strategjisë së destabilizimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë. Madje keqpërdorimi i fundit i maturantëve serb në veri të Mitrovicës është një replikimi i skenarëve të vitit 1997-1998 në veriun e Mitrovicës me dallimin e vetëm që për sigurinë e të rinjve serbe atëherë përkujdesej policia serbe e cila edhe u jepte udhëzime si të sulmoheshin të rinjtë shqiptar. Ndërsa tani ishte policia e Kosovës që pengoj skenarin e tillë duke parandaluar destabilizimin e gjendjes së sigurisë. E tërë kjo shkaktoi një reagim euforik të institucioneve të Serbisë duke vjellur vrerë mbi pjesëtarët e policisë së Kosovës.

Ndërtimi i paqes së qëndrueshme përfshin, mbi të gjitha, forcimin e kapaciteteve vendore dhe të institucioneve në të gjitha nivelet për të adresuar shkaqet rrënjësore të paqëndrueshmërisë, si dhe promovimin e shoqërive të hapura, të larmishme dhe tolerante që janë të qëndrueshme ndaj krizave dhe konflikteve të dhunshme. Përpjekjet e tilla nuk kanë munguar në Kosovë, sidomos që nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Shkruajnë:

Prof. Dr. Avni H. Alidemaj-Profesor i shkencave politike dhe juridiko-administrative

Prof. Dr. Alban Maliqi-Profesor i shkencave politike dhe të sigurisë

Të fundit nga rubrika