Të paktën 17 të vrarë pas një sulmi izraelit në Gazë

Pasojat e sulmit në shkollën në Nuseirat në Gazë. 24 tetor 2024/Reuters

Një sulm ajror izraelit ndaj një shkolle, ku po strehohen personat e zhvendosur në Gazën qendrore, la të vrarë të paktën 17 persona, shumica gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë më 24 tetor.

Edhe 42 persona u plagosën gjatë sulmit në kampin e refugjatëve në Nuseriat, sipas spitalit Avda, që ka pranuar të plagosurit.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, në mesin e të vrarëve ishin shtatë fëmijë – më i vogli 11 muajsh – si dhe tri gra.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë sulm.

Muajve të fundit, Izraeli ka sulmuar disa shkolla, të shndërruara në strehimore, duke thënë se shënjestron luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që fshihen në mesin e civilëve. Nga këto sulme shpesh vriten gra dhe fëmijë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë pengë afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje janë ende brenda Gazës, një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, institucion që nuk tregon se sa nga viktimat ishin luftëtarë, por thotë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë më shumë se 17.000 luftëtarë, pa ofruar dëshmi për këtë pretendim.

Si pasojë e luftës, afër 90 për qind e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, janë zhvendosur disa herë. Qindra mijëra persona janë të strehuar në kampe me tenda./REL

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika