Filozofi dhe sociologu gjerman Jürgen Habermas, një nga mendimtarët më me ndikim të kohës moderne dhe një figurë kyçe intelektuale në Gjermani, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar shtëpia botuese ‘Suhrkamp Verlag’, duke bërë të ditur se Habermas vdiq të shtunën në Starnberg, pranë Munihut në Gjermani.
Habermas ishte i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në filozofi, sociologji dhe teori politike. Punimet e tij trajtuan në mënyrë të thellë komunikimin, racionalitetin dhe strukturën e shoqërive moderne. Vepra e tij më e njohur është libri dyvëllimësh The Theory of Communicative Action (Teoria e Veprimit Komunikativ), që konsiderohet një nga tekstet më të rëndësishme të teorisë sociale bashkëkohore.
I lindur më 18 qershor 1929 në Düsseldorf, Habermas u rrit në qytetin Gummersbach. Përvoja e tij si adoleshent gjatë rënies së Gjermanisë naziste ndikoi thellë në orientimin e tij intelektual. Ai më vonë kujtonte vitin 1945 si një moment kyç, kur për herë të parë kuptoi dimensionin kriminal të sistemit politik në të cilin kishte jetuar.
Gjatë karrierës së tij shumëdekadëshe, Habermas u përfshi shpesh në debatet publike dhe politike në Gjermani dhe Evropë. Ai pati një marrëdhënie të ndërlikuar me lëvizjen studentore të majtë të vitevetë ’60-ta, duke e mbështetur pjesërisht, por edhe duke paralajmëruar për rrezikun e asaj që e quajti “fashizëm i majtë”. Në vitet 1980, Habermas ishte një nga figurat kryesore në debatet e njohura si Historikerstreit, ku kundërshtoi përpjekjet e disa historianëve konservatorë për të relativizuar krimet e regjimit të Adolf Hitler duke i krahasuar ato me krime të tjera historike.
Në politikën bashkëkohore gjermane ai mbështeti ardhjen në pushtet të kancelarit Gerhard Schröder në vitin 1998, ndërsa më vonë kritikoi qasjen teknokratike të pasardhëses së tij Angela Merkel.
Habermas ishte gjithashtu një mbështetës i fuqishëm i integrimit evropian dhe në vitin 2017 përshëndeti iniciativat reformuese të presidentit francez Emmanuel Macron për Bashkimin Evropian.
Filozofi gjerman kishte lindur me një deformim të qiellzës (cleft palate), që kërkoi ndërhyrje të shumta kirurgjikale gjatë fëmijërisë. Kjo përvojë ndikoi në reflektimet e tij filozofike mbi gjuhën dhe komunikimin, duke theksuar rëndësinë e gjuhës së folur si bazë e jetës sociale dhe të kuptuarit reciprok. Habermas humbi bashkëshorten e tij, Ute Habermas-Wesselhoeft, vitin e kaluar (2025). Çifti kishte tre fëmijë: Tilmann, Judith dhe Rebekka, e cila ndërroi jetë në vitin 2023.
Me vdekjen e tij, bota akademike humb një nga filozofët më të rëndësishëm të shekullit XX dhe një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtje të demokracisë deliberative, dialogut racional dhe projektit evropian.
Filozofët e Kosovës kujtojnë Habermasin: Gjiganti i filozofisë që mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999
Në Kosovë vdekjen e Habermasit e ka kujtuar edhe Shoqata e Filozofëve të Kosovës (SHFK).
Kontributi intelektual dhe akademik i Habermas-it do të mbetet i gdhendur në historinë e mendimit filozofik dhe politik të botës perëndimore thuhet në kujtimin e filozofëve të Kosovës.
Po ashtu, në reagim përmendet edhe qëndrimi i tij publik në vitin 1999 në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kur filozofi gjerman argumentonte se në situata ekstreme fqinjët demokratikë duhet të jenë të gatshëm të ndërhyjnë me ndihmë emergjente të legjitimuar sipas së drejtës ndërkombëtare. Për Shoqatën e Filozofëve të Kosovës, kjo dëshmonte angazhimin e tij intelektual jo vetëm në teori, por edhe në mbrojtje të vlerave demokratike dhe humanitare.