Zëri kumbues i Elona Sejdijaj sjell atmosferë në Radio Dukagjini
E marta e muzikës live në studion e Radio Dukagjinit sonte solli një këngëtare të re, me zë mjaft të veçantë. Elona Sejdijaj, një artiste e re por me një vokal fantastik, përformoi sonte disa këngë live, në emisionin “Super Trend” me Drilonën dhe Mirdonin. Këngë të bukura të gjuhës shqipe e angleze shoqëruar me […]
E marta e muzikës live në studion e Radio Dukagjinit sonte solli një këngëtare të re, me zë mjaft të veçantë.
Elona Sejdijaj, një artiste e re por me një vokal fantastik, përformoi sonte disa këngë live, në emisionin “Super Trend” me Drilonën dhe Mirdonin.
Këngë të bukura të gjuhës shqipe e angleze shoqëruar me tingujt e kitarës e zërin e bukur të Elonës, sollën një atmosferë të ngrohtë në studion e Radio Dukagjinit.
Elona bëri të ditur se pos shqip e anglisht, ajo përformon edhe në gjuhë të tjera, duke cekur këtu frëngjishten e turqishten.
Artistja e re me prejardhje nga Istogu, studion në Universitetin e Prishtinës, pedagogji të përgjithshme në fakultetin e muzikës. Megjithëse drejtimi i saj i mundëson që të bëhet pedagoge e muzikës, ajo më shumë e sheh vetën si përformuese.
Thotë se me muzikën jashtë fakultetit nuk është aq e angazhuar sa do të donte të ishte, mirëpo megjithatë është aktive sidomos në rrjetet sociale, ku publikon covera të këngëve të ndryshme. Lidhur me përformimin live në mbrëmje muzikore, thotë se ende nuk e ka filluar, pasi nuk ka pasur një instrumentist përcjellës.
Ndonëse ka studiuar muzikën klasike qysh në shkollë të mesme, Elona thotë se zemra i fle më shumë në zhanrin pop, apo tek këngët e vjetra qytetare, megjithëse thekson se në të ardhmen planet e saj përfshijnë edhe përformimin në dasma e ahengje tjera.















