Kori i Grave Harmonius organizon më 28 tetor një mbrëmje muzikore dhe solidariteti, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe mbështetjes së grave që përballen me këtë sëmundje.
Në kuadër të Muajit Rozë, Kori i Grave Harmonius do të organizojë koncertin “Tingujt që japin forcë”, më 28 tetor 2026, nga ora 20:00, në Stacionin Kulturor në Prishtinë.
Kjo mbrëmje artistike synon të përcjellë mesazhin e solidaritetit, shpresës dhe fuqisë që krijohet kur njerëzit bashkohen për një kauzë të përbashkët.
Të bashkuara nga dashuria për muzikën, gra të moshave dhe nacionaliteteve të ndryshme do të sjellin një program artistik që synon ta shndërrojë muzikën në një gjuhë të përbashkët të afërsisë dhe mbështetjes.
Nën drejtimin e dirigjentes Adelinë Ndreca Kolaj, koncerti do të përfshijë këngë të njohura dhe emocione muzikore. Mbrëmja do të moderohet nga aktorja Anisa Ismaili, ndërsa pjesë e saj do të jenë edhe mysafirët specialë Mjellma Ibrahimi, Donika Hajra, Shpend Lleshi-Pena, Anton Krasniqi, Elenë Haliti, Forta Lleshi dhe Kori Suedez “Motvalls”.
Përveç dimensionit artistik, aktiviteti do të ketë edhe karakter humanitar. Gjatë koncertit do të mblidhen donacione vullnetare në mbështetje të Institutit Onkologjik në Prishtinë, duke e kthyer këtë mbrëmje në një mundësi konkrete për të kontribuar në një kauzë me rëndësi shoqërore.
Organizatorët synojnë që përmes muzikës të përcjellin një mesazh të fuqishëm solidariteti, duke rikujtuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe mbështetjes për gratë që përballen me këtë sëmundje.
Koncerti mbështetet nga Komuna e Prishtinës, në partneritet me Stacionin Kulturor dhe Termokiss, ndërsa sponsor është Uji Mokne.
Mbrëmja “Tingujt që japin forcë” do të mbahet më 28 tetor, duke filluar nga ora 20:00, në Stacionin Kulturor në Prishtinë. Qytetarët ftohen të bëhen pjesë e kësaj nisme, ku muzika bashkon njerëzit rreth shpresës, solidaritetit dhe mbështetjes për gratë që përballen me kancerin e gjirit.
