Zgjedhjet si mjet mbijetese për Kurtin

Optimizmi i Albin Kurtit mbetet i çuditshëm, gati i shkëputur nga realiteti. Ai beson se do t’i fitojë zgjedhjet me përqindje të paparë. Por, ai i pati më shumë se 50 për qind. Dhe çfarë bëri? Rezultatet janë zhgënjyese. Dështimi i tij është rezultat i një modeli qeverisjeje të ngritur mbi improvizim, propagandë dhe mllef.

 

Imer Mushkolaj

 

Politika në Kosovë është shndërruar në një garë të pafund për mbijetesë personale të një njeriu që pretendon se ka monopolin e shpresës. Albin Kurti ka krijuar një realitet paralel, në të cilin votat nuk shihen si mjet për të qeverisur, por si “oksigjen” për të zgjatur qëndrimin në pushtet.

Ironikisht, vendi ndodhet në një moment që s’ka lidhje me logjikën elektorale. Kurti, i cili në zgjedhjet e fundit fitoi mbi 40 për qind të votave, sillet sikur është viktimë e një komploti të madh. Ai shpenzoi gati një vit duke provuar ta bind publikun se opozita paska frikë nga vota, ndërsa ai i paska numrat magjikë të padukshëm. Dhe, si në çdo iluzion të konsumuar, në fund u vërtetua se numrat nuk ekzistonin.

Dështimi është i tij dhe vetëm i tij. Është rezultat i një modeli qeverisjeje të ngritur mbi improvizim, propagandë dhe mllef. Reforma nuk ka, vizion nuk ka, asgjë konkrete nuk ka – përveç sulmeve ndaj rivalëve politikë.

Albin Kurti e kuptoi se nuk mund të krijonte qeveri, as të ruante stabilitet, ndaj u kthye te mjeti i tij i preferuar: teatri elektoral. Është i vetmi terren ku ai ndihet i fortë, sepse aty nuk matet me rezultate, por me premtime. E premtimet janë sporti i tij i dashur: pafund, të paqarta, të pambështetura në asgjë reale.

Por çfarë do të premtojë për zgedhjet e 28 dhjetorit? Luftën kundër korrupsionit që nuk e nisi kurrë? Çmimet më të lira që vetëm u rritën? Investimet e huaja që e anashkaluan Kosovën si të ishte zonë pa koordinata? Projektet infrastrukturore që vazhdojnë të zvarriten? Sigurimet shëndetësore që kanë mbetur mit i tranzicionit?

Kur bie propaganda, realiteti është brutal: me mbi 12 miliardë euro buxhet gjatë mandatit, qeveria e tij nuk la asnjë vepër të madhe publike. Asnjë reformë që mund të matet. Asnjë rezultat të prekshëm për njerëzit. Qytetarët kanë parë improvizime dhe një lloj arrogance që synon t’i bindë se paaftësia është, në fakt, rezistencë.

 

* * *

 

Kurti e nisi rrugën e tij politike si misionar i drejtësisë. U ngrit si simbol i revoltës, u reklamua si antidot i të kaluarës. Por me kalimin e kohës, nga misioni u kthye në kryeministër që nuk arrin ta shkëpusë veten nga narrativa e përhershme e fajësimit të tjerëve. Ka pesë vjet që rrethanat, faji, pengesat dhe “forcat e padukshme” paraqiten si sabotues të tij permanentë. Dhe kështu, qeverisja ngeci në vend.

Në imagjinatën e Kurtit çdo kritik është armik, çdo gazetar mercenar, çdo opozitar tradhtar. Është krijuar një atmosferë ku kushdo që pyet “pse s’ka rezultate?” shpallet sabotues. Një lloj gjuhe toksike, e cila jo vetëm e ndan shoqërinë, por e mbyt çdo debat normal.

Në realitetin brutal politik, zgjedhjet e reja po trajtohen si shpëtim, jo si përgjegjësi. Është krijuar ideja se çdo krizë politike zgjidhet duke iu kthyer qytetarit, thua se vota funksionon si buton “reset”. Në fakt, vota nuk i zëvendëson vendimet. Nuk i zëvendëson projektet. Nuk i zëvendëson punët që nuk janë bërë. Qytetarët janë mpirë nga premtimet boshe dhe ndihen të zhgënjyer, jo të zemëruar. Zhgënjimi është shumë më i rrezikshëm. Zemërimi të çon në veprim. Zhgënjimi të çon në dorëzim. Sot njerëzit janë më afër dorëzimit sesa veprimit.

Megjithatë, optimizmi i kryeministrit mbetet i çuditshëm, gati i shkëputur nga realiteti. Ai beson se do t’i fitojë zgjedhjet me përqindje të paparë. Dhe këtu fillon keqkuptimi i madh: votat nuk janë dekor. Votat nuk janë shpërblim për fjalime, por për punë të kryera.

Por, njerëzit nuk janë budallenj. E kanë parë se çka mund të bëjë pushteti kur e ka forcën, shumicën dhe stabilitetin. E kanë parë edhe sa pak është bërë realisht. Po ashtu e dinë që opozita është e dobët, e pafrymë dhe e mbërthyer në vetvete. Por zhgënjimi ndaj opozitës nuk e shndërron automatikisht qeverinë në sukses.

Pa marrë parasysh çfarë do të sjellin zgjedhjet e reja, ky vend e ka humbur ndjesinë e shpresës. Kur shpresa humbet, as fitorja nuk ka shije, as humbja nuk ka rëndësi. Kosova hyn në zgjedhje me një atmosferë të ftohtë, të ndarë mes cinizmit dhe lodhjes. Nuk ka pritje të mëdha, nuk ka energji, nuk ka shpresë. Vendi po futet në fushatë pa e ditur pse po voton – dhe kjo është më e rënda që i ka ndodhur demokracisë sonë në shumë vite.

Të fundit nga rubrika