Pos në veri, edhe komunat e banuara me shumicë nga serbët në pjesë të tjera të Kosovës kanë konstituuar sot Kuvendet Komunale.
Por për dallim nga veriu, në lindje të vendit ku gjendet komuna e Ranillugut, mbledhja inauguruese është mbajtur pa simbolet shtetërore të Kosovës.
Në sallën që nuk i ngjanë Kuvendit Komunal, përfaqësuesit e rinj komunal dhe kryetarja e re Tanja Antiq morën detyrën pa prezencën e flamurit të Kosovës dhe fotografisë së Presidentes.
Megjithatë, ministri në detyrë i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një status në Facebook përfshiu edhe Ranillugun në mesin e komunave që kanë kryer këtë procedurë në përputhje me Kushtetutën.
“Gjithçka po zhvillohet në rregull dhe në përputhje me dispozitat që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kryetarëve të rinj u uroj një mandat të suksesshëm dhe u dëshiroj punë të mbarë”, ka thënë Statusi i Elbert Kraniqit.
Televizioni Dukagjini ka pyetur Krasniqin nëse simbolet shtetërore kanë qenë prezentë në Ranillug, por ai ka thënë se nuk kanë pasur mbikëqyrje fizike dhe se deri te raporti përfundimtar do të nevojitet kohë.
Ndërsa në Shtërpcë betimi është kryer me prezencën e flamurit shtetëror, e edhe në Graçanicë po ashtu.
Lista Serbe ka fituar pushtetin në të dhjetë komunat e banuara me shumicë nga serbët në Kosovë.